Kosovarët pa viza drejt vendeve të BE-së, Rama: Ky vit nis i mbarë për Kosovën, me lirinë e shumëpritur të lëvizjes

Lëvizja pa viza nga qytetarët e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian është përshëndetur nga kryeministri, Edi Rama. Nëpërmjet një postimi të publikuar në rrjetin e tij social Facebook, Rama shkruan se viti 2024 ka nisur shumë mbarë për Kosovën.

“Ky vit nis i mbarë për Kosovën, me lirinë e shumëpritur të lëvizjes në Bashkimin Europian. Gëzuar Kosovë, gëzuar, shëndet e gjithçka ju do zemra shqiptarëve e shqiptareve të Kosovës”, shkruan Rama.

Duke nisur nga sot (e hënë) qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. Tashmë nuk mbetet asnjë vend nga Ballkani Perëndimor që nuk mund të udhëtojë pa vizë në zonën në fjalë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut fituan të drejtën për të udhëtuar në zonën Shengen pa viza në vitin 2009 ndërsa Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina në vitin 2010.