Viti i Lojërave Olimpike, Luiza Gega reagon ashpër ndaj Ministrisë së Sporteve: S’po më japin atë që më takon, s’e lë me kaq

Atletja Luiza Gega do përfaqësojë Shqipërinë për herë të tretë në Lojërat Olimpike, që këtë vit 2024 zhvillohen në Paris. Rekordmenia kuqezi vitin që lamë pas ngrit flamurin shqiptar dhe vendosi dy rekorde të reja, ka bërë një reagim të ashpër kundër Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, duke thënë se nuk ka marrë ato që i takojnë.

Duket se sportistja nuk ka marrë shpërblimet për garat ku ka dalë në vendet e sipërme dhe e gjitha sepse në ato gara nuk ka pasur kontrolle anti-dopingu, kur sipas saj ato janë rastësore. Aktualisht Gega ndodhet në Kenia, ku po merr ngarkesën e duhur fizike për të qenë gati.

“Sot e nisëm ditën me doping control. Në fakt shumë po shumë ditë të vitit janë të tilla ku që në pikë të mëngjesit je i detyruar të bësh gjak dhe urinë. Kam që në 2023 që jam në këtë sistem dhe më pëlqen fakti sepse vërtetë dua t’u tregoj qoftë të gjithë sistemeve apo qoftë dhe të rinjve që gjërat e mëdha arrihen dhe duke punuar fort.

Dhe me gjithë respektin nuk ka asnjë sportist në historinë e Shqipërisë të ketë kryer kontrolle aq sa kryej unë brenda gare dhe jashtë gare. Dhe si për çudi dje marr vesh që Ministria e Arsimit dhe  Sportit nuk më jep shpërblim për një aktivitet ku nuk paska patur kontroll, ku sportistën nuk e dinë nëse ka apo s’ka kontroll, por detyra jonë është të jemi gati sa herë na kërkojnë për të bërë kontroll.

E di çfarë më vjen keq? Që kam gjithë jetën timë që investoj dhe vetëm dy vitet e fundit me ndryshimet e (VKM) kam arritur të marr diçka, sigurisht me djersën time asgjë po asgë të falur. Edhe këtu gjithmonë gjejnë formë për të bezdisur.

Aq më tepër që jam në vitin më të rëndësishëm, vitin Olimpik. Por për fat të keq askush nuk e kupton rëndësinë e këtij viti. Unë nga institucionet përkatëse për të më thënë “Bravo”, kam nevojë që të më japin atë që më takon dhe të përpiqen më shumë për sportin. Faleminderit dhe nuk do ta lë me kaq”, shkruan Gega.