Princ Leka dhe Elia Zaharia konfirmojnë ndarjen dhe nisin procedurat e divorcit. Përmes një njoftimi zyrtar të përcjellë nga Oborri Mbretëror Shqiptar, bëhet me dije se Princ Leka dhe Elia Zaharia kanë rënë dakord që t’i japin fund martesës së tyre.
“Duke qenë se martesa e ka humbur funksionin e saj, kanë parë të udhës ta zgjidhin atë me pëlqim reciprok duke filluar procedurat e nevojshme ligjore.
Pavarësisht besimit tek instituti i familjes, LTM Princ Leka II beson se vlerat e respektit dhe mirëkuptimit reciprok do të përbëjnë bazën e marrëdhënies në vijimësinë e saj, që do të ketë si motiv rritjen dhe edukimin e LSM Princeshës Geraldinë!!!” thuhet në njoftimin e Oborrit Mbretëror Shqiptar.
Që prej fundit të muajit nëntor çifti mbretëror kishte shtuar dyshimet për një krizë në marrëdhënie, lajm që u konfirmua me publikimin e fotove të fundvitit, ku Princ Leka shfaqej vetëm me të bijën, pa Elia Zaharian.