Lucia Nadin, laureate e çmimit “Shuteriqi” për veprën mbi Shkodrën

Çmimi “Shuteriqi” që akordohet për botimet dokumentare-burimologjike më të suksesshme, për historinë, gjuhën, kulturën, trashëgiminë dhe identitetin shqiptari i është ndarë studiueses Lucia Nadin. Vepra “Statutet e Shkodrës, nga gjysma e parë e shekullit XIV, me shtesat deri më 1469” është zgjedhur fituese.

Vepra u vlerësua si “zbulimi më i rëndësishëm dokumentar i dy dekadave të fundme për arbrit dhe Arbërinë përgjatë shekujve të humanizmit europian”, dhe jo vetëm.

Çmimi u dha edhe me motivacionin se është “dëshmi historike parësore me ndikim të fuqishëm për ndryshimin e imazhit të shqiptarëve në historinë botërore të kësaj periudhe për tipologjinë e qytetërimit dhe kulturës së tyre; për rendin dhe organizimin shoqëror në botën shqiptare deri në fundin e Mesjetës, si një vend që zhvillohej sipas modelit të republikave të Perëndimit dhe hap më hap me gjithë hapësirën adriatike; pasqyrë e një fisnikërie vendëse që ishte e denjë për të kaluar prej identifikimit patronimik në atë etnik e kombëtar; përgatitur për botim në italisht e shqip nga një skuadër albanologësh të mirënjohur, nën kujdesin, drejtimin e autoritetin e saj shkencor”. Libri në shqip është përkthyer nga akademik Pëllumb Xhufi.

Çmimi i dytë u dha për veprën “Korrespondencë dhe dorëshkrime të Ali pashë Tepelenës” me autor Irakli Koçollari.

Gjithashtu, një tjetër çmim i dytë u dha për veprën “Nikollë Filja dhe veprat e tij poetike, botim kritik i dorëshkrimeve”, me autor akademik Matteo Mandalàn.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Ai ka treguar se Akademia e Shkencave, po rivlerëson me objektivitet të gjitha botimet dokumentare historike, për të motivuar punën shumë të vlefshme në këtë drejtim.

Hoxha ka thënë se emri i këtij çmimi, është emri i një personaliteti shumë të shquar të letrave, krijimtarisë dhe kulturës shqiptare, Dhimitër Shuteriqit, si shkrimtar dhe historian i letërsisë, si poet, prozator, studiues, hulumtues i dalluar, hartues tekstesh shkollore, publicist, profesor, dhe akademik.

“Si shkencëtar, fusha kryesore e punës së tij gati 60-vjeçare, deri në ditët e fundit të jetës, kanë qenë fillimet e qytetërimit shqiptar, historia e letërsisë, tradita e hershme e shkrimit të shqipes, studimet letrare-monografike, studimet dokumentare dhe folklorike nga fusha e albanologjisë në tërësi”, ka thënë ai.

Konkursi i hapur nga Akademia e Shkencave për çmimin “Shuteriqi” u shpall në kuadër të konferencës shkencore ndërkombëtare “Shteti i Arbërit dhe Arbëria në shekujt e humanizmit europian”, që u organizua dhe zhvillua me shumë sukses, me rastin përkujtimor të 555-vjetorit e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me 8-10 tetor 2023, në Gëziq të Mirditës dhe këtu në Akademinë e Shkencave.

Çmimi i veçantë, “Shuteriqi”, akordohet për botimet dokumentare-burimologjike më të suksesshme, për historinë, gjuhën, kulturën, trashëgiminë dhe identitetin shqiptar; për vepra të tilla të realizuara që nga viti 2001 deri në vitin 2023.

Fituesja Naida është studiuese italiane nga Venecia. Është marrë me punë kërkimore dhe mësimdhënie në fakultetet e filologjisë të universiteteve të Padovës dhe Venecias dhe punoi për dhjetë vjet në një institut edukativ kërkimor në rajonin e Venetos. Nga 1995 e deri më 2000, dha mësim letërsi italiane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës.

Sipas biografisë së saj, ka pasur edhe poste, përpos detyrave akademike, në Zyrën e Kulturës të ambasadës italiane si dhe në Institutin Italian të Kulturës.

Tani merret me punë kërkimore historiografiko-letrare në lëmin në fushën veneto-adriatike. Përpos gati 30 artikujve me karakter të specializuar mbi autorë dhe tematika të kulturës venete dhe italiane, nga shekulli XIV, e deri në atë XX, gjatë angazhimit të vet në Shqipëri organizoi edhe ekspozitën hartografike mbi Arbërinë.

Ka përgatitur botimin e “Statuteve të Shkodrës” duke nxjerrë në dritë tekstin nga Biblioteka e Muzeut të Venecies: një “monument” i historisë mesjetare të Shqipërisë.

Ka rindërtuar dukurinë e emigrimit shqiptar në krahinën e Venetos mes shekujve XV e XVI në librin “Shqiptarët në Venedik, mërgim e integrim 1479 – 1552”. Ka studiuar traditën ikonografike të Skënderbeut në anijen e dukëve të Venecies, të famshme Bucintoro. Po punon mbi mërgimin e klerikëve katolikë në tokat e Republikës së Përndritur mes shekujve XV dhe XVI, në lidhje me porositjen e veprave të artit. Në vitin 2010, ka marrë titullin e qytetares së nderit të Shkodrës.