Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje duke larguar billbordat ilegale në Zveçan.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, duke thënë se simboli i vetëm i Serbisë në Kosovë, do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.
“Simboli i vetëm i Serbisë brenda shtetit tonë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë. Sot në Zveçan janë larguar billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve të cilat janë të papranueshme në Republikën e Kosovës”.
Ai tutje ka thënë se Kosova, është e përcaktuar për vlerat demokratike të saj.
“Si institucione mbesim të përkushtuar për rend e ligj dhe zbatim të kushtetushmërisë në çdo pjesë të vendit tonë”.
“Këto billborde e imazhe të fashistëve e agresorëve si Vladimir Putin dhe kundërshtarëve të shtetit tonë, Këto imazhe nuk do të gjejnë vend në shtetin tonë”.
Në billbordin e larguar ka qenë i paraqitur presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, presidenti i Rusisë Vladimir Putin.
“Në Republikën e Kosovës, s’ka vend për figura të diktatoreve të pushtueseve dhe agresorëve. Ne jemi një vend demokratik të përcaktuar qartë për vlerat perëndimore, prandaj që nga sot në asnjë cep s’do të lejohen simbolika të diktatorëve apo të vendeve që janë agresore në raport me Kosovën”, ka thënë Sveçla në videon e publikuar.