Aktivitete në rang kombëtar dhe mbarëkombëtar, ku do të përfshihen të gjitha shkollat në vend por edhe në diasporë, janë paralajmëruar për vitin 2024, i shpallur nga Qeveria e Shqipërisë si Vit i Gjuhës Shqipe. Viti do të kulmojë më 22 nëntor, në Ditën Kombëtare të Alfabetit Shqip, që sivjet për herë të parë shënohet si festë zyrtare në Shqipëri
Viti 2024 është shpallur Viti i Gjuhës Shqipe dhe Qeveria e Shqipërisë ka paralajmëruar një sërë aktivitetesh. Qëllimi: ruajtja dhe pasurimi i gjuhës shqipe. Aktivitetet do të kulmojnë më 22 nëntor, në Ditën Kombëtare të Alfabetit Shqip, që sivjet për herë të parë shënohet si festë zyrtare. Paralajmërimet për Vitin e Gjuhës Shqipe u bënë në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, të mërkurën, kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpërndau në rrjete sociale videon e ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu. Aktivitetet synohet të mbahen në rang kombëtar dhe mbarëkombëtar, ku do të përfshihen të gjitha shkollat në vend por edhe në diasporë.
“Si Ministri e Arsimit dhe Sportit kemi vendosur që viti 2024 të jetë një vit kushtuar gjuhës shqipe. Do të kemi një kalendar të pasur aktivitetesh, me nisma dhe projekte që do të fillojnë këtë vit dhe gjithashtu me projekte të cilat i finalizojmë së bashku në shkolla, universitete, brenda dhe jashtë vendit, si dhe me pjesëmarrjen e diasporës shqiptare në botë”, thotë ministrja Manastirliu në vidon promovuese. Sipas saj, aktivitetet në nëntor për Ditën e Alfabetit Shqip janë kryesoret. Sivjet 22 nëntori për herë të parë do të jetë festë zyrtare si Ditë e Alfabetit Shqip. “Të mos harrojmë asnjëherë se gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi, por mbi të gjitha është një simbol i unitetit dhe fuqisë tonë ripërtëritëse si komb”, ka thënë ministrja Manastirliu.
Për Ditën Ndërkombëtare të Arsimit kishte thënë se Ministria drejton vëmendjen te rëndësia e edukimit si ura që përçon vlerat që bashkojnë kombet, që ushqen paqen dhe progresin mes vendeve. “Investimi në arsim mbetet prioritet mbi prioritetet. Përmes arsimit mundemi të rrisim zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, të nxisim inovacionin dhe të mbështesim më tej kohezionin social. Arsimi qëndron në themel të progresit dhe në shkollat tona ne kemi të gjithë potencialin e duhur për të çuar vendin tonë përpara”, ka thënë në fjalën e saj ministrja Manastirliu.