Hamasi kërkoi 135 ditë armëpushim në Gaza/ Kryeministri izraelit, Netanyahu nuk pranon propozimin

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk ka pranuar propozimin Hamasit për armëpushim, teksa ka deklaruar se fitorja totale në Gaza është e mundur brenda disa muajsh. Gjatë fjalës së tij, Netanyahu ka deklaruar se negociatat nuk po shkojnë askund dhe i përshkroi kushtet e Hamasit si të “çuditshme”. Ndërkohë, bisedimet mes grupit negociator po vazhdojnë.

“Nuk ka zgjidhje tjetër përveç një fitoreje të plotë dhe përfundimtare. Nëse Hamasi do të mbijetojë në Gaza, është vetëm një çështje kohe deri në masakrën e ardhshme”, është shprehur Netanyahu në një konferencë për mediat.

Këto deklarata, kryeministri izraelit i bëri pasi Hamasi propozoi një armëpushim 135 ditor që çon në fundin e luftës në Rripin e Gazës. Propozimi është pjesë e një plani që grupi palestinez që qeveris Gazën, i ka paraqitur Izraelit si pjesë e bisedimeve të paqes që po ndërmjetësohet nga Katari dhe Egjipti.

Ndërkohë një burim zyrtar egjiptian tha për BBC se një raund i ri negociatash pritet të nisë nesër në Kajro, i sponsorizuar nga Egjipti dhe Katari. Egjipti u bën thirrje të gjitha palëve që të tregojnë fleksibilitetin e nevojshëm për të arritur një marrëveshje të qetë.