Nga Çapajev Gjokutaj
Sose, Mbarime, Shkurte, Mjafte, Mjaftoni. Emra me dy funksione.
Më njerën anë përdoreshin për të thirrur dikë, një vajzë ëngjëllore e të pafajshme, si gjithë fëmijët.
Më anë tjetër shërbenin si yshtje, për të ndaluar lindjen e vajzave dhe për t’i hapur rrugë ardhjes së djalit, trashëgimtarit të shumëpritur.
Gjithë këto më kujtohen sa herë që, çifte të porsamartuarish thonë se dëshirojnë të kenë një vajzë. Dhe s’janë pak. Madje, kam përshtypjen që sa vijnë e shtohen.
Si argument të thonë se vajzat janë më të çiltra, më lozanjare, e shprehin dashurinë më hapur, krijojnë atmosferë të gëzuar në familje.
Dhe mbase kanë të drejtë. Por këtu dalin dy probleme.
I pari dhe më i rëndësishmi: mos ka rrezik të kalohet nga diskriminimi i vajzave, tek diskriminimi i djemve? Nga një ekstrem tek tjetri, si punë mode?
I dyti, ç’u bë dëshira për trashëgimtar? Mos vallë kapitalizmi na ka bërë më pak të etur për prona e trashëgimi dhe më të prirur për ndjenja, çiltërsi, marrdhënie shpirtërore?
Pika, o Kismet, me kë bën muhabet, thashë me vete në këtë pikë se m’u kujtuan Harpagoni i Molierit, Gobseku i Balzakut, Totsky i Dostojevskit etj.
E megjithatë pyetja rivjen në një formë tjetër: dëshira për të patur djalë, d.m.th trashëgimtar është po aq e fortë sa dikur apo është zbehur?
Dhe po qe se bini dakort që është zbutur e zbehur, kjo ka ardhur nga që po i konkurojnë Mjaftet dhe Shkurtat e djeshme apo ngaqë, sa më shumë kalon koha, aq më i mundur bëhet pleqërimi pa i patur fëmijët nën një çati?
Më tej akoma: kategoritë mëmë, babë, bir, bijë dhe marrdhëniet midis tyre janë të përjetshme apo ndryshojnë me kalimin e kohës, dmth mamaja e sotme s’është si mëma e tre shekujve më parë etj etj?
A ekziston mundësia që ndonjë mik të më kthehet: gjithë bota me zgjedhjet, ti me cikërima, si ai që la dasmën e shkoi për shkarpa?
Mos vallë po bëj shumë pyetje, kjamet shumë, për një ditë pushimi si e sotmja?