Një video që po qarkullon në rrjetet sociale, shfaq shkëmbimin e fjalëve të rënda dhe një rrahje brutale mes ushtarit të dehur rus, i cili pretendoi se ishte pjesëmarrës në luftën në Ukrainë dhe një personi tjetër, shkruan Newsweek.
Pamjet shfaqin ushtarin rus që rrahet brutalisht, kurse videoja është publikuar në X nga Dmitri nga WarTranslated, një projekt i pavarur që përkthen materialet për luftën.
Mbetet e paqartë se ku dhe kur është filmuar kjo video. Newsweek nuk ka mundur të verifikojë autenticitetin e videos, dhe ka kontaktuar ministrinë ruse të Mbrojtjes.
Janë bërë raportime të shumta për trupat ruse që janë rrahur me t’u kthyer në shtëpi nga vija e frontit në Ukrainë.
Në video, ushtari rus i thotë të riut se sapo është “kthyer” nga Ukraina.
“Ne po luftojmë atje për ju, por ju nuk po na respektoni”, thotë ushtari rus.
“Pse nuk ju respektojmë”, përgjigjet i riu para se ta pyeste ushtarin se pse e ofendoi në dyqan disa minuta më herët.
Pavarësisht lutjeve të shumta që ia kishte bërë që ta lërë të qetë, i riu në një moment humb durimin dhe fillon ta godasë ushtarin e dehur rus, i cili rrëzohet në tokë.
Aty e pëson edhe një burrë tjetër që me gjasë ishte me ushtarin, pavarësisht se pretendonte se nuk ishte i përfshirë.