FIORELA KATROSHI/ Më 28 shkurt të vitit 1903 ndërroi jetë ideologu i Rilindjes Kombëtare, Jeronim De Rada, i cili u lind më 19 nëntor 1814, në një katund të vogël të Kalabrisë, të quajtur Maçhia Albanese. Pasi kreu kolegjin e San Benedeto Ullanos, studioi për drejtësi në Universitetin e Napolit.
Në vitin 1836, kur ishte 22 vjeç, botoi “Milosaon”, librin e tij të parë. “Milosao” është një përrallë historike me vjersha në gjuhën shqipe. Jeronim de Rada e arriti kulmin e krijimtarisë së tij në vitin 1866 kur botoi në Firence “Këngët e Milosaos”. Ky libër përmban rapsoditë më të bukura shqiptare, të cilat autori i kishte mbledhur në kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe të Napolit. Këto këngë i patën sjellë me vete të shpërngulurit (arbëreshët) dhe u transmetuan gojë më gojë nga brezi në brez për katër shekuj. Më 1840 botoi poemën “Serafina Topia”, e cila më tepër se një himn dashurie është një himn për bashkimin e shqiptarëve. Gjatë viteve 1847- 1848 botoi “Rrëfimet e Arbrit”, e cila përbëhet nga katër novela romantike. Më 1861 botoi “Parimet e estetikës”, më 1864 “Lashtësia e kombit shqiptar” dhe më 1866 “Rapsodi e një poeme arbëreshe”. Veprën e fundit Jeronim de Rada e shkroi në vitin 1900 në moshën 86-vjeçare. Jeronim de Rada u martua më 1850 me arbëreshen Madalena Melkji, me të cilën pati katër djem. Fatkeqësitë familjare, vdekja e gruas dhe e djemve nuk e mposhtën atë, por dhimbjen e ktheu në forcë duke vazhduar veprimtarinë krijuese. Në këtë kohë shkroi poemën “Skënderbeu i pafat”.
GJUHA DHE FOLKLORI
Shkrimet e De Radës në gjuhën italiane vijnë përpara atyre në arbërisht. Por këto krijime, të cilat janë përkthime në prozë të vjershave arbëreshe, duhen dalluar nga vjershat italiane, sipas Pipës. Interesimi i tij për folklorin u shty nga leximi i teoricienit të Romantizmit, Schlegel, prej ku nisi përkushtimi ndaj arbërishtes dhe doli përmbi fazën italiane të ndikimeve të Dantes, Ariostos e Foscolos. Veprat në poezi, përpos “Odisse” (që De Rada e quante “me temë arbëreshe”) dhe “Sofonisba” janë të gjitha në arbërisht, por të pajisura me një përkthim italisht në prozë në krah të origjinalit. Titujt e veprave në poezi, të gjata si rregull, janë në italisht, me një përjashtim, “Skanderbeku i pafaan”.
Nga të dy periodikët të redaktuar e të botuar prej De Radës, “L’Albanese d’Italia” është edhe në italisht, kurse “Fiamuri i Arbërit” është në të dyja gjuhët. I cytur nga avokati kalabrez Rafaele Valentini, shtator-tetorin e 1833, De Rada asokohe nëntëmbëdhjetëvjeçar zuri të mblidhte këngë popullore arbëreshe në fshatrat kalabro-arbëreshe të krahinës së Kozencës. Vjeshtën e 1834 pasi hartoi “Raçolta di canti albanesi” dhe më 1866 botoi “Rapsodie” nën kujdesin e N. Tommaseo. Më 1845 Kamarda i tregoi një tufë këngësh popullore të mbledhura nga F. Avati. Më 1963 ose 1964 Giuseppe Ferrari botoi një dorëshkrim të De Radës, të cilin e quajti “Canti albanesi”. “Raçolda di Michele Bellusci del ‘600”, gjetur në Frashinetë, me “Milosaon” ka të përbashkët 11 këngë dhe teza e Ferrarit çonte drejt një pandehme për plagjiaturë. Më 1966 Francesco Solano në një artikull botuar tek “Shêjzat” hodhi poshtë hipotezën e Ferrarit, duke provuar se gjuha e përdorur ishte ajo e anëve të De Radës, por edhe stili i ngjante shumë stilit të “Milosaos”. Solano doli në përfundimin se tufa e këngëve e mbledhur nga Belushi nuk ishte tjetër veçse tufa e parë e këngëve popullore e mbledhur nga djaloshi De Rada me shtysën e Valentinit.
POEMAT
Më 1832 shkruan Odisse në terza rima. Më 1833, porsa mbaroi studimet në kolegjin e Shën Adrianit, u caktua që të administronte pronën e familjes dhe kësodore i ra të njihej me të bijën e fshatarit që merrej me tufën e bagëtisë së familjes De Rada. Nuk vonoi dhe poeti i ri nisi të shkruante vjersha dashurie në stilin e këngëve popullore, që mblidhte asokohe “duke imituar siç të mundte thjeshtësinë e rapsodive”. Vitin tjetër, më 6 janar 1834, ditën e Epifanisë, hartoi të parin idil në të cilin paraqitet një episod dashurie që më vonë doli tek “Milosao” (Në vitet 1835-1836 nisi të shkruante skicë-idetë e para të Proto-Milosaos dhe Proto-Serafinës. Më 22 shkurt 1836 botoi për herë të parë në Omnibus “Canto in morte di Scanderbeg”.
Më 1837 skicoi këngë të ndryshme të “Scanderbeg” dhe shkruan variantin e parë të Serafinës, të cilën e shtyp më 1839. Pipa gjykon se “Skanderbeku” është vazhdim i “Serafinës” me emër tjetër. Gjatë burgimit njëmujor shkroi një vjershë kushtuar Huniadit, “Giovanni Uniade”, botuar pas vdekjes. Më 1841-’42 shkroi tragjedinë “I Numidi”, që nuk i ngrohu edhe aq miqtë e tij, të cilën e botoi më 1846. Provoi fatin e tij me trajtesën filozofike “Divinazione pelasgiche”, botuar së pari te “Lucifero” dhe pastaj te “Mattneer” po më 1842. Më 1861 botoi “Principi di estetica”, “Antichità della nazione albanese”, “Lettera a Stamile”, përkujdeset për gramatikën që punoi i biri Giuseppe “Grammatica della lingua albanese” mbështetur në dialektin e Kratit, më 1870. Më 1890 botoi “Pelasgi ed albanesi”, 1892 “Il Collegio Albanese”, “La Cattedra Albanese” dhe shkruajti tragjedinë “Sofonisba”. Më 1894 shkroi veprën “Caratteri e grammatica”, më 1896 “Abecedario” dhe “Antologia”, në vitet 1898-1902 “Autobiografia” dhe “Testamento politico”.
DORËSHKRIMET
Mbase prej grafomanisë, poeti i shkruante dhe i rishkruante pambarimisht veprat e tij, por ruante edhe skicë-idetë e varianteve paraprake. Ai ruante jo vetëm letrat më të rëndësishme të tij, por edhe zarfet që i shkonin me postë. Kur u nda nga jeta la mbrapa vandakë letre me shënime e dorëshkrime. Ky material u ruajt prej trashëgimtarëve deri kur më 1934 ia bleu pjesën më të madhe të dorëshkrimeve, shtyrë edhe nga gjendja e keqe ekonomike në të cilën ra familja. Njëra nga dy arkat u zhduk dhe tjetra përshkoi një odise duke përfunduar në duart e Institutit të Gjuhësisë në Kopenhagë më 1956. Pas hulumtimeve të Arshi Pipës në Kozencë, mësoi se me shumë gjasë një pjesë e materialit nga arka e zhdukur që kishte dorëshkrimet më me vlerë të De Radës, përfundoi në Arkivin Qendror të Shtetit, ku sapo ishte formuar Fondi i De Radës ku dhe gjendet letra me poetin frëng Lamartine. Fondi i De Radës në Bibliotekën e qytetit të Kozencës përbëhet prej më se 3000 fletësh me material poezish në arbërisht, në italisht, faqe ditari (libra llogarie), një trajtesë metafizike dhe letërkëmbimi. Letërkëmbimi në Kozenca numëron 122 letra mbi tema letrare të rëndësishme. Këmbime letrash me Josephine de Knorr, Dora d’Istria, Emil Reinhold, Domenico Damis, Faik Konica, Giuseppe Schirò, Louis Podhorsky, Paolo Dodaj, Pietro Chiara, Cristina Gentile Mandalà, Michele Marchianò, Bernardo Bilotta, etj.
Në Kopenhagë dorëshkrimet e koleksionit shqiptar u pasqyruan më 1973, për nga sasia nuk matet me të Kozencës, por për nga cilësia mbulojnë çdo dorëshkrim para ose pas Milosaos A tek materiali me poezi tejet i çmueshëm për hetimin e zanafillës së poezisë të De Radës, një libër llogarie dhe letërkëmbimi me letra me rëndësi. Një letër me dt. 12 shtator 1800 hedh dritë mbi jetën pak të njohur të autorit të saj, Francesco Avati, profesor italo-arbëresh i greqishtes në Universitetin e Urbinos, mbledhësi i parë i këngëve popullore arbëreshe, sipas De Radës. Një tjetër letër pa datë dërguar nga Zef Serembe shfaq shenja paranoje mistike. Dy letra të Kamardës dërguar De Radës qershor-korrikun 1865 përmbajnë kritika për Rapsodie-n e De Radës. Një letër e dërguar nga Hanoveri më 15 korrik 1880, në të cilën dërguesi, një filolog gjerman, mundohej t’ia kthente mendjen poetit që të mos shkonte në Turqi për të propaganduar ndër shqiptarët e atjeshëm për botimin e një gazete shqip (jo shumë kohë më pas, arriti të botonte “Fiamuri Arbërit”. Disa prej 14 letrave me Dora d’Istrian japin të dhëna të tjera për jetën e intelektuales me origjinë shqiptare. Ndër letrat e shkruara prej De Radës drejtuar inteligjencës shqiptare, janë ato dërguar Pashko Vasës, Zef Jubanit, Mitkos dhe letrat të tjera destinuar djemve.