Pas raportimeve se ukrainasit kanë rrëzuar një aeroplan sulmues rus, tashmë janë publikuar pamjet e para.
Komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk, ka shpërndarë në rrjete sociale pamjet e rrëzimit të aeroplanit luftarak rus Su-34.
“Ja ku është Su-34 i rrëzuar në mëngjesin e 1 marsit të vitit 2024 në Mariupol”, thuhet në mbishkrimin e videos së publikuar në platformën X.
“Është e mundur që vetëm ndonjëherë t’ju argëtojmë me video të tilla sepse Forcat Ajrore zakonisht kryejnë operacione luftarake në distanca të gjata”, shtoi komandanti.
Bëhet e ditur se ky aksion nga forcat ukrainase shënon sukses mjaft të madh pasi është rrëzimi i parë i një aeroplani rus gjatë këtij muaji.
Përveç Su-34, Forcat Ajrore kanë shkatërruar edhe 14 nga 17 dronët e tipit Shahed, të cilët Rusia i ka blerë nga Irani.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.