Mbeturinat e dikujt mund të kthehen në thesar për dikë tjetër.
Një grua në Shtetet e Bashkuara tregon se është kthyer në kërkuese profesioniste në kazanët e plehrave, ku shprehet se gjen sende me vlerë që dikush i ka hedhur, të cilat i shet sërish në treg.
32-vjeçarja Veronica Taylor zbulon se ka arritur të bëjë deri në 5000 dollarë në muaj me këtë “biznes” që fillimisht nisi si një hobi.
Tashmë, Veronica ka përfshirë në këtë aktivitet dhe një shoqe të vjetër të quajtur Liz Wilson dhe dy gratë kërkojnë “thesare” në kazanët e plehrave, ku shprehen se kanë gjetur portofola, çanta apo edhe këpucë të firmave më në zë të momentit.
“Është fantastike. Duket sikur je në kërkim të një thesari dhe nuk e di asnjëherë se çfarë mund të gjesh. Unë dhe shoqja ime tashmë jetojmë shumë mirë me sendet e gjetura”, shprehet Veronica.
Ajo dhe Liz i dhurojnë për bamirësi produktet e higjienës dhe ushqimet që gjejnë, por çanta Louis Vuitton i nxjerrin në shitje.