Detaje të reja janë zbardhur nga ekzekutimi i 30-vjeçares Liridona Ademaj tre muaj më parë në fshatin Bërrnicë të Prishtinës, ku i akuzuari kryesor mbetet bashkëshorti i saj Naim Murseli.
Gazetari Enrik Mehmeti ka mundur të sigurojë një intervistë me një efektiv të Forcave Speciale amerikane, rezident edhe në Prishtinë, të cilit Naim Murseli i ka kërkuar një shumë të përafërt parash, me atë që i ofroi ekzekutorit të gruas së tij.
News24 ka mundur të sigurojë një intervistë me një ushtar amerikan, i cili është rezident edhe në Prishtinë dhe njihet prej vitesh me Naim Murselin.
Efektivi amerikan Donnie Lowery rrëfen sesi u njoh me Naim Murselin dhe sesi ky i fundit pak ditë para vrasjes së Liridona Ademajt i ka kërkuar një shumë të madhe parash, e cila është e përafërt me shumën që Murseli dyshohet se pagoi Granit Plavën për vrasjen e së shoqes.
Gazetari: Si e njihni ju Naim Murselin?
“E njoh Naim Murselin nga miqësia me presidentin Behxhet Pacolli. Pacollin e njoh prej shumë vitesh, që prej kohës kur tentuam të bashkëpunonim, për të sjellë në Kosovë brendin e McDonald’s, por përpjekja rezultoi e pasuksseshme. Dy vjet më parë Zoti Pacolli dhe Naimi erdhën në Majemi, të ftuar në dasmën e vajzës së Presidentit Trump, Tiffany Trump. U takova me Namin një ditë më pas dhe ky ishte takimi ynë i parë.”
Më tej efektivi amerikan tregon se çfarë e lidhi, për të mbajtur kontaktet me Murselin dhe se sa i shpeshtë ishte komunikimi i tyre…
“Me Naimin u takuam edhe një herë tjetër në Kosovë, pasi doja të blija një shtëpi në Prishtinë. Naimi do më ndihmonte me procedurat e blerjes së banesës dhe pas kësaj kam folur vetëm disa herë në telefon me të, asgjë përtej kësaj.”
Edhe pse komunikimi i tyre ka qenë i pakët Murseli disa ditë përpara vrasjes së Liridonës, i ka kërkuar efektivit amerikan një shumë të konsiderueshme parash, duke arsyetuar se gjendej përballë një problemi të madh. Madje i ka premtuar se do t’i kthejë dyfishin e huasë.
“Më telefonoi dy ose tre herë. Ishte shumë I shqetësuar, më kërkoi para dhe më sa se I duheshin sa më shpejt të ishte e mundur. Gjithashtu më premtoi se do t’mi kthente sërish, madje dyfishin e parave që më kërkoi. Nuk kishte shance t’I jepja para, nuk e besoja si njeri. E gjithë situata me dukej një marrëzi.”
Kjo shumë parash që ai ju ka kërkuar, asnjëherë nuk e jepte arsyen se për çfarë e donte?
“Jo, në asnjë mënyrë.”
Gazetari: Po gjatë kohës që ju merrte në telefon, ju bëri përshtypje sesi një njeri i panjohur, që e kishit takuar vetëm disa herë, që kishit folur pak në telefon ju kërkonte para borxh? Çfarë përshtypjesh ju dha juve kjo kërkesë për para?
“Nuk e di. Për mua është e çuditshme sepse ai ishte miku i Presidentit Pacolli. Përse duhet t’më kërkonte mua ndihmë dhe para. E gjithë situate nuk kishte kuptim dhe më konfuzonte pafund. Si ka mundësi që një njeri që shoqërohet me njerëz që kanë pushtet dhe influencë të kërkojë ndihmë tek unë?”
I pyetur nëse e ka vënë në dijeni zotin Pacolli, lidhur me kërkesën e Naim Murselit, efektivi amerikan mohon të ketë diskutuar diçka me të.
“Jo, jo. Unë nuk fola me Bexhetin.”
Ndër të tjera, efektivi amerikan Donnie Lowery u shpreh se është i gatshëm të dëshmojë përpara Gjykatës së Prishtinës për shumën e parave që Naim Murseli i kërkoi disa ditë përpara vrasjes së Liridonës.
Nga ana tjetër, Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi më 27 shkurt të lërë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë tre të dyshuarit për vrasjen e Liridonës, bashkëshortin e saj Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën. Naim Murseli akuzohet “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”./m.j