Të zhgënjyer thellë me vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës janë shprehur prindërit e Agonis Tetajt. Shkaku që të akuzuarit Shaban Gogaj iu shqiptua dy herë dënimi prej 7 vjetësh e gjysmë burgim, ata thanë se nuk i besojnë drejtësisë që e vendosi kjo gjykatë. E paralajmëruan që rastin ta procedojnë në Gjykatën e Apelit, prej së cilës thanë që presin ashpërsim të dënimit
Në ballë të dhomës së ndejës Nurie e Isuf Tetaj kanë vendosur fotografinë e djalit të tyre, Agonisit, që më se 5 vjet më parë u vra në vendin e tij të punës nga djali i pronarit të kompanisë, Shaban Gogaj.Ata thonë se e kanë të vështirë t’i rrinë përballë fotografisë së tij, pas vendimit që e nxori të premten Gjykata Themelore e Pejës, për ta dënuar të akuzuarin me 5 vjet burgim për vrasje dhe 2 vjet e gjysmë për armëmbajtje pa leje.
Ndaj Gogajt u zhvilluan dy procese gjyqësore e të dyja përfunduan me dënimin e njëjtë. E prindërit e Totajt u shprehën të zhgënjyer thellë me vendimin, tek thanë se nuk i besojnë drejtësisë që e vendosi dy herë gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova.
Ata pretendojnë se Gogaj para se t’ua vriste djalin ka qenë i përfshirë edhe në një vepër tjetër, për të cilën gjyqtarja në rastin e Agonisit i pati dhënë dënim me arrest shtëpiak.
Nëna Nuria ka thënë se Gogaj doli nga burgu shtëpiak dhe ia vrau djalin.
“2018, me 3 gusht, ky person, ky kriminel, se as emrin s’mund t’ia përmendi, ose monstrum me quajt, e ka bërë një rrahje me një djalë të Kuqëve të Deçanit. Kjo gjyqtare, më 3 gusht 2018 e ka dënuar në përkujdesje të prindërve. Qe çka kanë bërë, ai ka qenë i dënuar me ndenjtë në shtëpi, burg shtëpiak. Ka shkuar në punë i lirë, kur ka shkuar në punë, më 23 shtator 2018, ma ka vrarë djalin. Qe sa ka pasur diferencë, 55 ditë”, ka thënë ajo.
Ajo është shprehur thellësisht e indinjuar me vendimin e trupit gjykues në Gjykatën e Pejës, që e gjykoi veprën si vrasje nga pakujdesia.
“Unë nuk di ajo gjyqtare qysh e merr gjumi, qysh fle, qysh i këqyr fëmijët e vetë. Qysh e këqyrë fëmijën e vetë kur një dënim e ka dhënë me 7 vjet e gjashtë muaj, qysh mundet me kthye kryet e mi pa fëmijët e vetë e fëmijët Agonisi i ka lanë veç tri vjeç”, ka thënë tutje Nurie Tetaj.
Procesi gjyqësor më se pesëvjeçar ka qenë i rëndë emocionalisht për prindërit. Babai i Agonisit ka thënë se brenda sallave gjyqësore nuk merrej parasysh gjendja e tyre emocionale.
“Njëherë tentova, si fola ma bënë vërejtjen me më qitë jashtë. E rrisha unë aty, mos fol veç këqyr seri. Po qysh lejohet me ma bo baca Isuf e mu ma ka vrarë djalin. Qysh lejohet. Është dashur me i thënë atij djalit, fol po bile emrin mos ia përmend”, ka thënë Isuf Tetaj.
Ata kanë paralajmëruar ankimimin e vendimit në Gjykatë të Apelit, prej së cilës kanë thënë se presin dënim më të rëndë.
“Nuk lejojmë më me u kthye në Pejë, sa të mundemi, nëse nuk na dëgjon kurrkush atëherë duhet me i çua duart prej drejtësie”, është shprehur Nurie Tetaj.
Tetaj u vra në moshën 29-vjeçare dhe ka lënë prapa vetes dy fëmijë binjakë.