Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, e ka kritikuar SHBA-në se po i vendos kritere të reja Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Reagimi i deputetit gjerman vjen pas pas deklaratës së emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Kosovës i kanë mbetur dy kushte
Roth, përmes një postimi në platformën X tha se kjo qasje e pabalancuar ndaj Kosovës duhet të përfundojë.
“Është krejtësisht e pakuptueshme që SHBA vendos ekstra kushte për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo qasje e pabalancuar nga SHBA-ja drejt Kosovës duhet përfundimisht të përfundojë. S’është fer dhe është e padrejtë. Këshilli i Evropës dhe shtetet anëtare ulen në ulësen e shoferit – jo SHBA”, ka shkruar Roth, teksa rishpërndau një postim të kolegut të tij të Bundestagut, Frank Schwabe.
It’s completely incomprehensible that the 🇺🇸 sets extra conditions for Kosovo's membership in the Council of Europe. This unbalanced approach by the US towards Kosovo must finally stop. It’s unfair and unjust. The @coe and its member states sit in the driver’s seat – not 🇺🇸! https://t.co/mi89SJ5AOx
— Michael Roth – official 🇪🇺🇺🇦🇮🇱 (@MiRo_SPD) March 16, 2024
Ndryshe, edhe dy deputetë gjermanë, Frank Schwabe nga grupi socialdemokrat (SPD) dhe Knut Abraham nga radhët e CDU/CSU kanë të premten reaguar ndaj deklaratave të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se janë edhe dy kushte që duhet plotësuar Kosova për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Abraham thotë se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të përcaktojë në mënyrë të pavarur kriteret e anëtarësimit të Kosovës në KiE, kurse Shwabe thotë se Këshilli i Evropës do të vendos për anëtarësimin e Kosovës bazuar në rregullat dhe vlerat e veta.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për REL se për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Kosovës i kanë mbetur dy kushte.
“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, tha emisari amerikan.