Albert Vataj
Shqipëria dhe shqiptarët me Papa Klementi XI i lidh një traditë e hershme dhe e devotshme katolike. Klementi XI drejtoi papatin në vitet 1700 – 1721. Ai u lind në Urbino si Giovanni Francesco Albani më 23 korrik 1649 dhe vdiq 19 mars 1721.
Albani, rridhte nga një familje fisnike shqiptare nga Skuraj i Kurbinit, që kishte emigruar në Itali pas vdekje së Gjergj Katstriotit – Skenderbeu.
Xhovani Francesko Albani studio teologji e jurisprudence. Ai shërbeu si guvernator rradhazi në disa qytete italiane. U bë kardinal në vitin 1690 për tu zgjodhur Papë më 1700.
Klementi XI ishte mbrojtës i arteve dhe shkencës; mirëbërës i madh i Bibliotekës së Vatikanit; autorizoi gërmimet arkeologjike në katakombet romake.
Gjatë mbretërimit të tij si Papë, në vendbanimet arbëreshe në Itali u hapën shkolla e kolegje shqipe; në Lezhë u organizua “Kuvendi i Arbërit”; në mbarë trojet shqiptare u autorizua “Ilirium Sacrum” (studim i kulturës, demografisë, dhe gjendjes së fesë), të hedhura në mbi 5000 faqe të ndara në disa vëllime – një nga burimet kryesore në fushën e albanologjisë.
Xhovani Francesko Albani, i njohun si Papë Klementi XI, lindi në Urbino me 23 korrik të vitit 1649, në nji familje fisnike me origjine arbnore nga Skuraj i Kurbinit, të larguem nga Arbnia pas rànies se Arbërit. Familja Albani kishte edhe flamurin e saj indentifikues, që konsistonte në nji shqiponje të zezë me dy krena dhe me kryqin përmbi. Gjyshi i Xhovani Francesk Albanit apo Papë Klementit XI, gjatë periudhës së Papë Urbanit VIII, kishte mbajtë për 13 vjet rresht të nderuemen zyrë të Senatorit te Romes,ndërsa axha i tij, Anibale Albani, ishte nji njeri i shquem i letrave dhe mbante postin e Prefektit të Biblotekes së Vatikanit. Familja Albani i dha Vatikanit edhe 6 kardinalë.
Xhovani Francesko Albani, u çue në Romë në moshen 11 vjeçare për me fillue studimet në Kolegjën Romane. Në moshën 18 vjeçare Papa i ardhshëm, u bà i njohun si përkthyes nga greqishtja në latinisht. Ai tërhoqi vemendjen e mbretneshës Kristina të Suedisë,e cila njihej si Zoja e Letrave, që e rregjistroi atë në Akademinë e saj, hala pa mbushë moshën. Ai përvetësoi teologjinë, e mà s’mbrapmi arriti të bàhej doktorr i Ligjës Kanonike dhe i të Drejtes Civile. Intelekti i dalluem i ndërthurun me moralin dhe devotshmërinë, e ngjiti atë në shkallët e Gjykatës Papale. Në moshen 28 vjeçare ai u bà Prelat dhe qeverisi suksesshëm në Rieti,Sabina dhe Orvioto, dhe kudo ishte i pranueshëm sepse emni i tij ishte njisuem me drejtësinë dhe maturinë. Në Rome ai u emnue famulltar i Shën Pjetrit, dhe mbas vdekjes se Kardinalit Slusio, Xhovani Francesko Albani u ngjit në poziten e Sekretarit të Informacionit të Papës.
Me 13 shkurt 1690 ai u bà Kardinal-Dhjak e mà s’mbrapmi Kardinal-Prift i titullit të Shën Silvestrit dhe u shugurue Prift. Karli II, pinjolli i Habsburgëve spanjollë kishte vdekë pa lànë trashgimtar tue lànë shtetin e tij në shenjestër të Francës dhe të Austrisë. Tentativa për me vue në fornin e Perandorisë Spanjolle Filipin e Anzhuve, djalin e madh të Luisit XIV kishte hasë në kundërshtinë e perandorit Leopold e cili e dëshironte fronin spanjoll për djalin e tij të dytë.Situata ishte kritike.Papa Inocenti XII, në mesin e tre kardinaleve që do të merreshin me zgjidhjen e càshtjes kishte caktue edhe arbnorin Xhovani Francesko Albani.
Xhovani Francesko Albani, u zgjodh Papë në 23 nàntor te vitit 1700 dhe qysh atëherë ai do të njihej me emnin Papa Klementi XI – Albani. Perandoria Austriake i vuni veton zgjedhjes së tij. Zgjedhjen e Papë Klementit XI – Albani e përshëndetën edhe protestantët të cilet u mblodhën në qytetin e Nurenbergut, dhe i goditën nji medalje nderi. Në Qeverinë e Shteteve të Kishës, ai ishte nji administrator i denjë. Ai luftoi nepotizmin dhe madje i ndaloi vëllait të tij përzierjen në punët e Shtetit. Papa Klementi XI ,fitoi simpatinë e artistëve për shkak se ndaloi eksportimin e kryeveprave artistike, dhe afroi shkencetaret.
Ndihmesa e Klementit XI për Shqipërinë
Shpresa e vazhdueshme e papës me origjinë shqiptare Klementit XI për të bashkuar Krishterimin, dha rezultate të gjëra në Shqipëri ku Kisha katolike romake dhe ajo ortodokse bashkëjetuan për një periudhë. Klementi XI, u interesua shumë për rilindjen politike dhe fetare të atdheut të vet. I përket asaj periudhe mbajtja e “këshillit fetar të parë kombëtar shqiptar” (1703) i cili shënoi ndryshimet rrënjësore në linjën e veprimit të klerit për çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe ipeshkvore.
Ndërkohë ndryshime ishin vënë re edhe në krahun ortodoks. Priftërinj të shumtë ortodoksë nga Shqipëria, i kishin drejtuar Papës kërkesa ndihme për mbështetje politike duke sjellë edhe një afrim fetar. Kështu në fillim u arrit një farë bashkimi, porse më tej, meqë nuk ishte në lartësinë e duhur, u arrit hapja e selive të kryepeshkopatave për dioqezat latine të Ohrit dhe Shkupit. Një mision i ritit bizantin funksiononte në Himarë qe nga viti 1628. Përveç kësaj, në shekullin XVIII, në shumë zona verilindore dhe qëndrore u vu re dukuria e kriptokrishterimit (krishterimi i fshehur), e cila zgjati deri në ditët tona (sidomos gjatë periudhës enveriste); e edhe ata që përqafuan islamin, parapëlqyen në shumicë sektet më heterodokse dhe më pak të largëta nga krishterimi, si psh bektashinjtë.
Familja Albani e ka prejardhjen nga familja fisnike e Mikel Laçit, nga Laçi i Kurbinit. Mikel Laçi pati dy djem Giorgio (Gjergj Mikeli i Laçit) dhe Filippo di Michele de’ Lazi, (Filip Mikeli i Laçit) ish luftëtarë nën urdhrat e Skënderbeut të cilët u vendosën në Urbino, ku Federico dhe Guidobaldo di Montefeltro i emëruan njerëz të besuar për çështje diplomatike dhe luftarake. Gjergji pati dy djem, Altobelin dhe Hanibalin, edhe Altobeli pati dy djem, Oracion dhe Karlin. Karli është babai i Gjon Franceskut, papës se ardhshëm.
Morën mbiemrin Albanesi që jetëgjati Altobello (1445-1564), e ndryshoi në Albani. Nga kjo familje rrodhën, përveç Klementit XI, kardinalë të shquar, diplomatë të mëdhenj dhe burra shteti të rrafshit të lartë:
– Giovanni Girolamo (1509-1591): kardinal dhe kont, zv-komandant i forcave të armatosura të Republikës së Venecias, kandidat për papë në dy konklave, historiograf, këshilltar juridik vetjak i papës Gregori XIII (1572-1584) dhe papës Sisto V (1585-90).
– Oracio (1576-1653): diplomat, emëruar senator i Romës nga Papa Urbani VIII (1623-44).
– Annibale (1682-1751): kanunor i Shën Pjetrit, president i Dhomës Apostolike, sekretar i Memorialëve, kardinal (1711) dhe nunc i jashtëzakonshëm papnor në Vjenë ku punoi për të ratifikuar zgjedhjen e perandorit Karli VI (1711-1740), kamerleng i Kishës Së Shenjte të Romës, kryekancelier i Dijes, kryeprift i Bazilikës së Vatikanit, peshkop i Sabinës e më tej i Porto e Santa Rufina, nëndhjak i Kolegjit të Shenjtë.
– Alkssandri (1692-1779): që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare u bë kolonel i ushtrisë së papës por shpejt e braktisi karrierën ushtarake, sekretar i Memorialëve, i dërguar në Vjenë, kardinal (1721), bibliotekar i Kishës Së Shenjtë të Romës, ambasador i Austrisë në Romë, mbrojtës i Mbretërisë së Sardenjës, mbrojtës dhe mik i Winckelmannit, ndërtues i Villa Albanit dhe përkrahës i shkëlqyer i arteve.
– Gjon Françesku, (1720-1803)nip i Klementit XI: kardinal (1753), mbrojtës i Çështjeve të Polonisë, mori pjesë në bisedimet me Katerinën II (1762-93) për të vënë në vend gjendjen e të krishterëve në Rusi, peshkop i Sabinës e më pas i Porto e Santa Rufinas derisa më 1775 si dhjak i Kolegjit të Shenjtë u bë peshkop i Ostias dhe Velletrit, mbrojtës i Shtetit Papnor kundër Francës revolucionare dhe luftëtar i zjarrtë për zgjedhjen e papëve Klementi XVII (1758-1769) dhe Pio VII (1800-23).
– Giuseppe (1750-1834): klerik i dhomës së papës Pio VI (1755-99), i dërguar i posaçëm në Vjenë për të çuar shiritin e bekuar në pagëzimin e kryedukës Ferdinand që më pas u bë perandor (1835-48), kardinal (1801) mbrojtës i perandorisë së Austrisë, bashkësekretar i Letrave Papnore dhe legat në Bolonjë, sekretar shteti i papës Pio VIII (1829-30), dhe komisar i jashtëzakonshëm i papës Gregori XVI (1831-46) i ngarkuar për të kthyer rendin nëpër Dërgata pas lëvizjeve revolucionare (1831-46), bibliotekar i Kishës së Shenjtë të Romës, peshkop i Urbinos dhe legat i Dërgatës së Pezaros dhe Urbinos.
Pas vdekjes së Filipit, më 1852 familja u shua. Është diçka e veçantë dhe për t’u vënë re që pothuajse njëkohësisht me familjen shqiptare të Albani-t, në Lindje, një tjetër derë e madhe shqiptare vezirësh të mëdhenj, përcaktonte fatet e perandorisë otomane në shekujt XVII-XVIII: familja e Qyprillinjve. Para papës Klementi XI, tre papë të tjerë kishin qenë me origjinë shqiptare: San Eleuterio (175-189), San Caio (283-296) dhe Giovanni IV (640-642).
Klementi XI dhe Illyricum Sacrum
Një nga pjesët më interesante të librit “Illyricum Sacrum”, është ajo ku flitet për interesimin që tregoi Papa Klementi XI (Kelmendi), për mbledhjen e përpunimin e historisë së Shqipërisë, gjë e cila nuk u bë plotësisht sepse një pjesë e madhe e atyre arkivave, humbën teksa qerrja që transportonte ato për në Venedik, u mbyt teksa ishte duke kaluar Lumin e Drinit në pjesën e Zadrimës. Lidhur me këtë, në faqen 221-222 shkruhet: “Papa Klementi XI, Gian Francesco Albani, nga Urbino me prejardhje shqiptare, kur ishte prift i ri filloi të mbledhë landë për historinë kishtare ilire. I penguem nga detyrët kishtare që shkuen tue ia shtue naltimin e tij deri në selin papnore u detyre të ndërpresë punimet e veta historike. Në fillim të pontifikatit të vet, mblodhi Këshllin e parë të Arbënit nën kryesinë e arqipeshkvit të Tivarit, Vinçenc Zmajeviç, e dha urdhën që aktet e Këshillit të përktheheshin shqip e ti shifte në gjuhën e të parëve që në familjen Albani kishte mbetë vetëm si kujtim.
Në atë kohë qendra e kishave ilire ishte Raguza ku mbaheshin këshillat kishtare të Ilirisë. Mbasi patën qenë mbytur në det ipeshkvinjtë shqiptarë duke u kthyer nga mbledhja, Klementi XI vendosi që mbledhjet ndër dioçezane shqiptare andej e tutje të mbaheshin në tokën shqiptare. Qendra e parë e kishave ilire ka qenë Akuileja, mandej Grado-i, e mbasi selia patriakale ilire u bart në Vendik, për arsye praktike u caktue Raguza si qendër mbasi ishte ma e përshtatshme edhe gjeografikisht.
Mbasi selia patriakale e ilirëve u bart në Vendik, e atje ishin grumbullue gjatë shekujve dokumenta, libra, monumenta edhe për Ilirinë, e mbasi Venediku kishte edhe Institute e njerëz të përshtatshëm për historografi, Papa Klementi i XI u muer vesht me Jezuitët e Venedikut e këta dërguen në Romë at Filip Riceputtin i cili mori në dorëzim nga Papa shqiptar lëndën historike të tij, planin e hartimit të historisë kishtare të ilirëve, e me ndihmën financiare për të përballuar shpenzimet e duhura për atë punë.
At Filip Riceputti mbi një barkë të Venedikut i ra për gjatë bregut të Adriatikut duke u ndaluar në të gjitha qendrat ku kishte lëndë për punën e vet e nga këto qendra bregdetare dërgoheshin njerëz të tjerë për kërkime historike në qendrat e brendshme të vendit prej nga i dërgohej lënda e duhur në breg të detit. Këtë punë e vazhdoi deri në qytetin e Tivarit. Prej Tivarit u dërguan lajmëtarë në të gjithë qendrat kishtare të Shqipërisë të cilat iu përgjegjën duke i dërgue secila ndihmën e vet historike shkruajsit të ardhëshëm të kishave ilire. Një qerre me qe e ngarkueme me dorëshkrime, libra e objekte historike, mbasi kapërceu të gjitha vështirësitë e baltërave të Zadrimës, u mbyt në ujë duke kaluar Drinin e humbi e gjithë ngarkesa e caktuar për At Riceputt-in.
Riceputti e ndau të gjithë lëndën e historisë kishtare ilire në katër pjesë me nëndarjet e renditjet përkatëse simbas skemës që kishte përpiluar Klementi XI. Pas vdekjes se tij, At Riceputti me zell e kujdes përfundoi të katër pjesët e historisë kishtare ilire e kur i pati gati për shtyp, mbaruan ditët e jetës së tij e vdiq. Jezuitët, siç e kanë zakon kur vdes çdo anëtar i shoqërisë së tyre që ka në dorë çdo punë të rëndësishme, ngarkuan që të kujdesej për shtypin e dorëshkrimeve të Riceputtit njeriun e tyre më të aftë për historografi, At Daniel Farlatin. Ky mbasi studioi të gjithë veprën e Riceputt-it u raportoi eprorëve të vet se historinë kishtare e shkruar nga At Filip Receputti, ishte punë me kritere historike të vjetruara. Mbasi u studiua mirë çështja e rezultoi si kishte raportuar At Daniel Farlati, eprorët ngarkuan këtë të niste punën përsëri simbas kritereve historiologjike moderne të kohës. At Daniel Farlati shkroi, shtypi e botoi katër vëllimet e para të veprës Illyricum Sacrum e ndërroi jetë. (AQSH F.1069 D.40 fq.221)
Figura e Klementit XI në historinë shqiptare
Në historinë shqiptare, si dhe ne fusha te tjera studimore albanologjike emri i Papa Klementit XI- Albani, përmendet si një Papë me “gjak shqiptar, “si një Pape me “origjine shqiptare,” si Papa qe ka thirrur Kuvendin e Arbërit me 1703 dhe se ka pasur plot merita te tjera për çështjen shqiptare. Emri i tij nga disa studiues është përmendur sikur ai te ishte larg botes shqiptare dhe sikur ti takonte një bote qe nuk ishte ne lidhje te vazhdueshme me shqiptaret dhe Shqipërinë. Në këtë mënyre, kësaj figure madhështore te popullit shqiptar nuk i është kushtuar një kapitull i domosdoshëm ne historinë e Shqipërisë. Megjithatë i rëndësishëm është fakti se ne asnjë rast nuk shpërfillet prejardhja e tij shqiptare nga autorë te huaj, por përkundrazi theksohet “krenaria” e tij shqiptare dhe veprimtaria e tij për çështjen Shqiptare, e cila gjithkund formulohet si një veprimtari atdhetare. Papa Klementi XI – Albani e dinte fort mire atë fjalën ungjillore “se çdo pemë njihet dhe dallohet nga frutet e saj,” ashtu si kundër çdo shqiptar, veçanërisht ne shtetet e huaja, dallohet në shqiptarizmin e tij, nga veprat qe ai kryhen ne dobi te çështjes kombëtare dhe te jetës se shqiptareve. Kështu qe edhe për Papa Klementin XI – Albani mund te thuhet se me mire e dine te huajt shqiptarizmin e tij se sa e dine në të vërtete vete shqiptaret, te cilet ne tjetersimin e tyre gjate sundimeve te huaja janë larguar pak a shume nga traditat evropiane. Qëndrimet politike dhe origjina e tij shqiptare do te ndikonin qe Kardinal Francesk – Albani te zgjidhet Pape, për te dhëne një kontribut me te madh edhe në jetën politike ne ato vite, kur Evropës po i kërcënohej rreziku nga Perandoria Osmane, e cila mbante nen sundim gati te gjithë Evropën Juglindore. Kohet e fundit e sidomos nga autoritetet me te larta te Kishës Katolike, është përmendur emri i Papa Klementit XI- Albani, nëpërmjet lëvizjeve me te mira te se kaluarës se lavdishme te shqiptareve dhe te luftës se popullit shqiptar për liri dhe pamvaresi.
Keshtu p.sh: Papa Pali VI, me 17 Janar 1968, me rastin e përkujtimit te 500 vjetorit te vdekjes se heroit tone Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeut, nder te tjera ka shpallur: “Ndër ata, qe hypën mbi katedrën e Shën Pjetrit, me kënaqësi po e kujtojmë paraardhësin tone Klementin XI-Albani, i cili mburrej për rrjedhën e tij te moçme shqiptare.”
Ndërsa, Papa Gjon Pali II gjate vizitës qe beri ne Shkodër, me 25 Prill 1993 dhe ne intervistat qe i parapriu kësaj vizite, disa here e ka përmendur emrin e Papa Klementit XI-Albani, duke theksuar lidhjet e tij, madje edhe ne forme te ngushte, ne mes te Vatikanit dhe Shqipërisë, lidhje këto qe ishin te vazhdueshme dhe gjithmonë te mira për udhëheqësit popullore shqiptare. Si dallim nga Papet e tjerë, autori gjerman, (mbase me i njohuri i historisë se Papeve) L.B. Von Pastor, pikërisht Papa Klementit XI-Albanit i ka kushtuar hapësirën me te madhe ne një vëllim, çka do të thotë se edhe nga aspekti bashkëkohor, Papa Klementi XI- Albani konsiderohet Pape “i madh”, që ka lëne gjurme te thella ne Kishën Katolike dhe ne jetën politike evropiane. Epiteti “i madh” zakonisht përdoret për ata Papë, qe kishin sukses ne organizimin kishtar, ne jetën politike, etj. Prandaj dhe trupi i tij i shenjtëruar gjendet sot, sipas rradhes, ne anën e djathte ne pjesën lart te Bazilikës se Shën Pjetrit ne Vatikan, kurse portretet dhe bustet e tij janë te shumta, si ne Rome ashtu edhe ne Urbino, ne vendin e lindjes, e ne vende te tjera. Krenaria e origjinës Shqiptare e Papës Klementi XI -Albani u shfaq edhe ne çastin kur u zgjodh Pape. Mbas emrit te Papnor, ai vendosi dhe mbiemrin e vet Albani, për tu dalluar përpara botes se është shqiptar. Në këtë mënyre, ai vazhdimisht emrin Alban e ka motivuar me boten Shqiptare. Në historinë e gjate te Papatit, qe se bashku me Papën Gjon Pali i II, bëhen 263, ky rast do te ishte ndoshta i vetmi, qe Papa paraqitet me mbiemrin e vet karakteristik te kombesise se tij. Edhe biografi francez i Klementit XI- Albani, M. Reoule e ka theksuar këtë çast te pa kujdesur të Papës për çështjen kombëtare, duke thënë: “Gjon Francesk Albani, qe kishte prejardhje shqiptare, u kujdesua posaçërisht për fatin e Kishës në vendin e paraardhësve te tij. Me nismën e tij u mblodh Kuvendi i Ipeshkvinjeve katolike të Ballkanit (14-15 Janar 1703). Kjo ishte një fitore e madhe për kulturën dhe kombësinë shqiptare, mbasi që klerikët ishin të paret, që filluan të shkruanin në gjuhën shqipe dhe të krijonin përmendoret e para të letërsisë shqipe.”