Mes akuzave reciproke mes rusëve dhe ukrainasve për përgjegjësinë për masakrën me 133 të vdekur në Moskë, Kievi ka nisur kundërofensivën më masive të raketave kundër Krimesë, e pushtuar nga rusët. Një orë e gjysmë bombardime të tmerrshme të drejtuara në qendër të Sevastopolit dhe qyteteve të tjera të Krimesë me raketa “Storm Shadow”.
Pamjet e shkrepura me celular nga banorët e Sevastopolit janë elokuente dhe dramatike: shpërthime në qendër të qytetit, duke ngritur re zjarri dhe tymi. Sipas mediave, sulmi masiv goditi bazën e qendrës së komunikimit të Flotës së Detit të Zi, një aeroport dhe një bazë ushtarake.
Alarmi ajror në Krime zgjati një orë e gjysmë dhe ra rreth orës 22:50. Sipas guvernatorit rus të Krimesë, ka pasur të paktën një viktimë në sulmet, ku një grua mbeti e vrarë në banesën e saj. Ndërkohë katër të tjerë kanë mbetur të plagosur. Sipas kanaleve të mediave ruse, “rreth njëzet shpërthime” u dëgjuan vetëm në Sevastopol, por shpërthime të tjera ndodhën në Yevpatoria dhe Kerch.
La Repubblica shkruan se raketat Storm Shadow dhe Scalp-Eg kanë goditur disa baza të përdorura nga ushtria ruse, duke përfshirë aeroportin ushtarak Belbek dhe bazën operacionale të brigadës 810.