Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kujtuar 25 vjetorin e bombardimeve të NATO-s.
Ai ka publikuar një fotografi të aeroplanit që sipas tij hodhi më shumë bomba mbi Serbinë më 1999.
“Ky aeroplan në fotografi ka qenë i përfshirë në bombardimet e NATO-s dhe është aeroplani që ka hedhur më së shumti bomba mbi Serbi e tani ruhet në bazat ushtarake në Lituani. Përjetë falënderues ndaj ShBA-së dhe Perëndimit për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin dhe shtetndërtimin tonë!”, ka shkruar Hoxhaj.
Mes dilemash dhe kundërshtimesh nga Kina dhe Rusia, asokohe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, më 23 mars 1999, në orën 22:17, urdhëroi një sulm ajror mbi Republikën Federale të Jugosllavisë.
Sulmet ajrore nisën pa aprovimin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Vendimi për bombardim u ndërmor pas refuzimit të presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Milloshevic, që të zgjidhej politikisht kriza e Kosovës.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.
Marrëveshje u pasua me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.