Një urë e madhe në Baltimore të Shteteve të Bashkuara, “Francis Scott Key”, është shembur pasi u godit nga një anije e madhe mallrash të martën në mëngjes, dhe si pasojë disa makina me njerëz ranë në lumin nën të.
Ura “Francis Scott Key” në Baltimore të Shteteve të Bashkuara është shembur pjesërisht pasi u godit nga një anije e madhe mallrash të martën në mëngjes.
Pamjet tregojnë urën e gjatë 2.5 km duke rënë në ujë pas përplasjes nga anija me kontejnerë duke bërë që disa automjete me njerëz brenda të binin në lumë.
Deri më tani raportohet për të paktën 20 të zhdukur në ujë. Anija goditi njërën prej shtyllave mbajtëse të urës Francis Scott Key, e cila më pas u përfshi në flakë.
Dinamika
Policia e Baltimores konfirmoi se ura u shemb pjesërisht edhe pse aktualisht është e paqartë se çfarë shkaktoi goditjen nga anija me kontejnerë Dali, 300 metra e gjatë, me destinacion Colombon në Sri Lanka. Sipas një zyrtari të Rojës Bregdetare të Baltimore, anija po lundronte nën flamurin e Singaporit.
“Një ngjarje që mund të ketë shumë viktima”
Aksidenti u konfirmua nga Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara.
“Të gjitha korsitë janë të mbyllura në të dy drejtimet për shkak të shembjes së urës”, shkroi Autoriteti i Transportit në Maryland në X.
Drejtor për komunikim në Departamentin e Zjarrfikësve në Baltimore, Kevin Cartwright tha se ishte shumë herët për të konfirmuar numrin e viktimave, por e përshkroi shembjen e urës si në kategorinë e “ngjarjeve që mund të ketë shumë viktima”.
“Kjo është një gjendje serioze emergjente. Përqendrimi ynë tani është të tentojmë t’i shpëtojmë këta njerëz”, tha Cartwright.
Uji në portin Baltimore është aktualisht në 9 gradë Celsius. Rreziku për ata që ranë në ujë dhe mbijetuan është hipotermia.
Nuk ka të lënduar në bordin e anijes
Pronarët e anijes Dali, një anije me flamur Singapori, konfirmuan përmes një deklarate të dërguar me email se anija u përplas me një nga shtyllat e urës Francis Scott Key.
Ura e ndërtuar në vitin 1977
E hapur që nga viti 1977, ura Ura Francisc Scott Key, mban emrin e autorit të himnit kombëtar amerikan. Ura me katër korsi, është strategjike për portin e Baltimores. Në kohën e hapjes, New York Times shkroi se do t’u “siguronte automobilistëve që udhëtonin përgjatë Bregut Lindor të SHBA-së nga një alternativë tërheqëse”. Ura kushtoi 141 milionë dollarë për t’u ndërtuar.