Në Pogradec janë ekspozuar librat e abetares dhe historisë që u përdoren 137 vite më parë nga fëmijët në Pogradec. Historianët duke vlerësuar rolin e patriotëve theksojnë domosdoshmërinë që edhe të rinjtë të njihen me to.
Mësonjëtorja e hapur në Pogradec në vitin 1887 u kthye edhe një herë në jetë.
Kjo abetare u përdor 137 vite më parë për të mësuar shqip.
Historia u shtyp në Bukuresht nga patriotët.
Përmes fotos jepet pamja e shtëpisë së Milo Paskos që në 14 mars të vitit 1887 e shndërroi banesën në shkollë.
Studiues, historianë dhe qytetarë mes kureshtjes u njohën dhe me këta burra që luftuan me armë për të ruajtur gjuhën e nënës
Studiuesi Niko Kotherja sjell në vëmendje gjurmën që qyteti la për arsimimin por dhe librat që u përdorën.
“Shkolla e dytë shqipe pas asaj të Korçës është hapur në Pogradec, e cila fatmirësisht ka mbërritur e dokumentuar përmes një dokumentimi të jashtëzakonshëm që ka bërë Llazar Gusho, i njohur si Lasgush Poradeci, një dosje voluminoze që ka mbledhur materiale sa i përket shkollës së parë të Pogradecit për vitin 1887. Një material , i cili është botuar nga vajza e tij Marie Gusho.
Nëse ai ka thënë se në këtë shkollë është përdorur abetarja e Sami Frashërit ne kemi sjellë në ekspozitë abetaren origjinale të Sami Frashërit, që është përdorur në shkollën e parë shqipe të Pogradecit”, tha ai.
Për arkivisten Entela Gushon ekspozita me dokumente dhe fotografi janë një moment shumë i rëndësishëm duke kërkuar që edhe të rinjtë të njihen me to.
“Sot për herë të parë në qytetin tonë hapet një ekspozitë me dokumente, materiale dhe fotografi, të cilat evidentojnë rrugëtimin e gjatë të shkollës në Pogradec prej vitit 1887-1920. Qytetarët e Pogradecit panë për herë të parë materiale origjinale, jo vetëm të aspektit fotografik, por edhe tabelave dhe librave që janë përdorur nga nxënësit e shkollave”, theksoi Gusho.
Ekspozita
Mësonjëtorja e dytë shqipe pas Korçës është hapur në Pogradec, një javë më pas më 14 mars të vitit 1887 nga Koço Sotiri.
Por krahas shkollës shqipe në qytetin liqenor funksionoi edhe shkolla e vashave e drejtuar nga një grua, Persefoni Treni.
Prej vitit 1887 dhe deri në 1920, Pogradeci ka lënë gjurmë në rrugën e arsimit dhe për të konkretizuar këto përpjekje të kohës studiuesi i historisë Niko Kotherja solli në këtë qytet një ekspozitë me dokumente, fotografi dhe libra, të cilët materializojnë këto përpjekje për arsim në qytetin liqenor.
Ekspozita titullohet “Shkollat Shqipe të Pogradecit në 1887-1920” dhe në të janë pasqyruar fotografi, dokumente, imazhe dhe libra origjinalë, të cilat u përcollën për herë të parë tek publiku në kuadër të 137-vjetorit të hapjes së shkollës shqipe në Pogradec.
Shkolla e parë në Pogradec u hap më 14 Mars 1887, një javë pas çeljes së shkollës së parë shqipe në qytetin e Korçës, me mësues Koço Sotirin. Kjo u bë e mundur falë përpjekjeve të patriotëve pogradecarë. Patriotët e shoqërisë “Drita” dhe “Dituria” të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, siguruan të ardhura financiare e libra shqip. Në fillim në këtë shkollë ishin 11 nxënës, pas një kohë të shkurtër u bënë 22.