Qendra Muzeore Berat dhe Parku Arkeologjik Apoloni, në 100- vjetorin e gërmimeve të Leon Rey, çelën ekspozitën fotografike ” Muzeu në valixhe”.
Ekpozita e Muzeut Ikonografik “Onufri” çelet në ambjentet e Trapezarisë, pjesë e Muzeut Arkeologjik Apoloni.
Për të gjithë vizitorët e Parkut Arkeologjik Apoloni, kjo ekspozitë sjell më afër imazhet e ikonave dhe Muzeut Ikonografik Onufri, që do të qëndrojnë të ekspozuara aty përgjatë 1 muaji.
Për gati 14 vjet, nga viti 1924 e deri më 1938-ën, arkeologu francez Leon Rey zhvilloi fushatën e gërmimeve studimore arkeologjike.
Një pjesë e thesareve arkeologjik të gjetura nga Leon Rey, gjenden në qytetin antik të Apolonisë. Objektet që dolën nga gërmimet e tij pranë qendrës monumentale të Apolonisë, janë pjesë e koleksionit të MAA.
Rey ishte themelues i revistës “Shqipëria-një përmbledhje e arkeologjisë, historisë, artit dhe shkencave të aplikuara në Shqipëri dhe Ballkan” (1925), ai botoi rezultatet e punës së tij atje deri në vitin 1939.
Rey gjithashtu themeloi dhe organizoi Muzeun Vlona (1937), por pushtimi italian i Shqipërisë e shkatërroi muzeun.
Në vitin 1945, ai u përpoq të rikthehej në vend, por iu refuzua qëndrimi. Leon Rey vdiq më 3 nëntor 1954 në Paris.