Më 27 mars të vitit 1866, lindi dramaturgu dhe atdhetari Andon Zako Çajupi. Pas shkollimit bazë, do ta linte Zagorinë për t’iu bashkuar të atit, Harito Çakos, veprimtar në lëvizjen atdhetare.
Atje do të ndiqte një kolegj francez, prej të cilit kultivoi njohuri të larmishme. I pajisur me botëkuptim europian, do t’i drejtohej Gjenevës, ku në vjetët 1887-1893, kreu studimet për drejtësi. Më tej, u vendos në Kajro dhe nisi të ushtronte profesionin e avokatit.
Do të hiqte dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar lëvizjes patriotike të shqiptarëve të ngulimeve të Egjiptit. U bë figurë protagoniste e shoqërisë atdhetare e kulturore të atjeshme, përmes përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, veçohet si vepra e tij kryesore. Botoi “Përrallat e La Fontenit” (1921) përshtatur prej tij në shqip, “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskrishte.
Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909). Ndërkaq, la në dorëshkrim pjesën më të madhe të veprave të tij, si poemën “Baba Musa lakuriq”, tragjedinë “Burri i dheut” dhe komedinë “Pas vdekjes”. Dashuria e flaktë për atdheun është shkrirë në poezitë e Çajupi me urrejtjen e papërmbajtur ndaj armiqve të Shqipërisë, të cilët fshikullohen me forcë të veçantë satirike, si në vjershat “Sulltani”, “Punërat e Perëndisë”, “Greku dhe Shqiptari”.
Në një sërë vjershash poeti flet për plagët shoqërore të fshatit shqiptar (Fshati im, Kurbeti, Fyelli i bariut etj.,. i këndoi dashurisë si ndjenjë njerëzore e natyrshme. Pikëpamjet demokratike të Çajupi gjetën shprehje në një varg vjershash ku goditet shtypja dhe pabarazia shoqërore, ngrihet lart e me dinjitet jeta e lirë (Misiri, Varfëria dhe liria). Rreth viteve 1903-1905 Çajupi përfundoi poemën “Krejt Hajvan”, që mbeti si dorëshkrim.
Në këtë vepër që zë një vend të rëndësishëm jo vetëm në krijimtarinë e poetit, por edhe në gjithë letërsinë demokratike, poeti parodizoi Biblën dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet legjendave biblike, trajtoi një varg problemesh të mprehta politike të kohës, goditi moralin hipokrit dhe një varg shfaqjesh negative të shoqërisë me klasa. Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: “Për rallë nga e kaluara” dhe “Pas vdekjes” (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë. Në komedinë e parë, autori vë në lojë me një humor të lehtë mentalitetin dhe zakonet prapanike të fshatit shqiptar, të cilin e jep me ngjyra të gjalla e plotë imtësi të goditura jetësore dhe etnografike. “Pas vdekjes”, është një komedi politike, ku me anë të situatave komike të gjetura bukur, përshkruan me sarkazëm dërrmues portretin e politikanit që bën lojën e xhonturqve në gjirin e lëvizjes patriotike shqiptare. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia “Burri i dheut”, botuar më 1937. Çajupi ndërroi jetë në Kajro, më 11 korrik 1930.