Florian Marku ka pësuar humbjen e parë në karrierë në boksin profesionist, ndërsa u mposht nga britaniku Chris Kongo. 31-vjeçari nga Lushnja zhvilloi një paraqitje jo në nivelin e atyre të mëparshme, duke lëshuar shumë terren me kundërshtarin i cili ishte më shtatlart. Ky i fundit u përpoq gjatë gjithë duelit të mbante distancë nga boksieri kuqezi.
Në një reagim në rrjete sociale pas ndeshjes, boksieri shqiptar tha se të dielën nuk ishte nata e tij. Ai premton se do të rikthehet sërish më i fortë se kurrë.
“Faleminderit Zotit për gjithçka, si në fitore ashtu edhe në disfatë. Ka shumë vite që nuk e kam përjetuar një gjë të tillë në karrierën time. E kisha harruar këtë ndjenjë, por dje nuk ishte nata ime, nuk ishte e shkruar.
“Nuk më pëlqejnë justifikimet. Dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që ishin në stadium dhe të gjithë ata që më ndoqën nga ekrani. Do të kthehem më i fortë se kurrë”, shkroi Florian Marku.
Marku e nisi mirë duelin, duke grushtuar disa herë kundërshtarin, ku në raundet e para paraqitja ishte pozitive. Më tej, pikë të ulura për shkak të faulleve të shkaktuara prej tij, kjo si pasojë e goditjeve pas koke, bëri që Marku të lëshonte terren dalëngadalë. Deri në raundin e shtatë gjërat ishin të balancuara aty ku Kongo më pas krijoi superioritet ndaj tij dhe me kalimin e raundeve arriti të kthente rezultatin në favor.
Pas 10 raundeve të zhvilluara Chris Kongo grumbulloi më tepër pikë duke u shpallur fitues e duke bërë të tijin titullin intercontinental IBO. Ky ishte dueli numër 15 në karrierën e Florian Markut në boksin profesionist, ku deri më tani nuk kishte asnjë humbje, duke fituar 13 dhe barazuar në 1 prej tyre. Në anën tjetër, 31-vjecari Kongo numëron 18 ndeshje, 16 fitore dhe 2 humbje.