Aktorja e madhe e skenës shqiptare, Margarita Xhepa ka ndarë detaje të rralla të jetës së saj në programin Exclusive në Top Channel.
Ajo shprehet se në 32 filma që ka marrë pjesë gjatë kohës së Komunizmit, nuk ka marrë para, pasi kjo përfshihej në rrogën e teatrit.
Edhe pse në këto kushte, ajo thekson se punohej me dashuri të madhe, me përkushtim, me thjeshtësi dhe pa pretendime.
“Unë i dua të dyja, teatrin, edhe filmin, me teatrin sigurisht se kam filluar, por filmin e dua, rruga për të punuar një rol është e njëjta gjë, por filmi ka magjinë e vet, sepse kamerën e ke këtu afër dhe duhet të jesh sa më natyrshëm, kurse teatrin e ke larg ka të drejtë të të dëgjojë edhe radha 22, është më e ngarkuar. Fillova role të tjera me dy regjisorët Ibrahim Muço dhe Kristaq Mitro që kam bërë katër role me ta, ‘Tokë e Përgjakur’, ‘Një vajzë dhe një djalë’, ‘Pasionata’. Kohë e artë a do të vijë më ajo kohë. Erdhëm me dëshirë, jo vetëm për të marrë një rrogë për të jetuar, erdhëm me pasion për artin. Punohej me dashuri të madhe, me përkushtim, me thjeshtësi, pa pretendime, me rrogën e teatrit, në kohën e monizmit kam bërë 32 filma, tani 8, atëherë s’kemi marrë para, vetëm rrogën e teatrit, të gjithë aktorët, pa përjashtim. Edhe figurantët që vinin, çdo gjë ishte gratis”, tha aktorja.