Mbi 74 milionë euro do të investohen në mbi 100 hektarë tokë në Kramovik-Guri i Kuq të Rahovecit për ndërtimin e Parkut Solar, ku do të vendosen mijëra panele diellore për prodhimin e energjisë së ripërtërishme.
Këtë projekt do ta realizojë konsorciumi kosovaro-zviceran dhe do ta kthejë Rahovecin në një ndër qendrat e prodhimit të rrymës elektrike në mënyrë ekologjike.
Mbi 100 hektarë tokë bujqësore dhe malore në mes të fshatit Kramovik dhe Guri i Kuq në Rahovec, i është dhënë në shfrytëzim Ministrisë së e Ekonomisë për ndërtimin e Parkut Solar. Ky projekt pritet të fillojë së shpejti të zbatohet nga operatori ekonomik një konsorciumi kosovaro-zviceran. Banorët e Kramovikut e mirëpresin këtë investim dhe presin që sa më parë të fillojë.
“Ky projekt është i mirëseardhur, këto toka djerrina më shkurt do të jenë në interes nacional të vendit, por edhe në interes të fshatit dhe banorëve të Kramovikut. Besoj se do të shfaqet edhe ndonjë punësim për ata që kanë interes dhe ka për të qenë projekt madhor dhe i mirë”, theksoi Binak Berisha, përfaqësues i fshatit Kramovik.
Edhe në fshatin Guri i Kuq shpresat për punësim janë shtuar. “Parku do të shtrihet në 117 hektarë, do të përfshijë shtatë parcela të fshatit Guri i Kuq, ndërsa pjesa tjetër i takon fshatit Kramovik. Në jemi të kënaqur që këtë projekt e ka fituar një operator që vjen nga komuna jonë. Jemi të kënaqur që është shqiptare dhe ka arritur që të investojë kaq shumë e ta bëjë këtë ‘Park solar’, ndërsa do të kemi përfitime më shumë sesa të jetë kompani e huaj”, theksoi Drilon Mustafa banor i fshatit Guri i Kuq.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, thotë se toka është pronë komunale, institucionet janë të lira për shfrytëzimin e saj pasi nuk do të këtë probleme me shpronësimin, ndërsa operatori është nga kjo komunë.
“Vlera e investimit që parashihet të ndodhë në ato parcela, në atë sipërfaqe është diku mbi 74 milionë euro, sigurisht që do të angazhohen kompanitë vendore, ato kompani vendore kanë punëtorë që do të marrin rroga, pra do të hapet një vend i madh i punës”, tha Latifi.
Studimin e fizibilitetit për këtë projekt madhor e ka bërë USAID-i, ku ka rezultuar se kjo pjesë e komunës së Rahovecit ka pothuajse 265 ditë në vit ndriçim të mjaftueshëm diellor për prodhimin e energjisë së ripërtërishme në rrugë ekologjike, pa e dëmtuar natyrën dhe pa e ndotur ambientin.
Sipas parashikimit, në këtë fshat do të ndërtohen mbi 258 mijë panele diellore dhe puna do të nisë pas përfundimit të afatit ligjor të fituesit të tenderit.