Presidenti i SHBA Joe Biden e ka cilësuar kundërshtarin e tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, Donald Trump, një fëmijë 6 vjeçar, teksa mbante fjalimin e tij në darkën vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve.
I pashqetësuar nga protestuesit pro-palestinezë që u mblodhën jashtë ndërtesës ku zhvillohej eventi, Biden gjeti vendin dhe kohën për të ironizuar rivalin e tij.
Këtë vit eventi u prezantua nga komediani Colin Jost, shkrimtar dhe aktor i spektaklit të njohur Saturday Night Live.
“Dua të theksoj se ka kaluar ora 22:00 dhe Joe që duhet të ishte në gjumë është ende zgjuar, ndërsa Donald Trump e ka kaluar javën duke u zgjuar në gjykatë çdo mëngjes”, tha komediani, duke iu referuar gjyqit që po zhvillohet në New York për ish-presidentin republikan.
Kur Biden mori fjalën, ai tha se në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, “mosha ka rëndësi”. “Unë jam një i rritur që kam si kundërshtar një fëmijë gjashtëvjeçar”, u shpreh Presidenti.
Darka vjetore e Shoqatës së Korrespondentëve u mbajt në një kohë kur një lëvizje solidariteti me palestinezët në Rripin e Gazës ka lindur në universitetet amerikane dhe po zgjerohet.
Shumë të ftuar, gazetarë dhe personazhe të famshëm, mbërritën në hotelin Hilton në Uashington, teksa rreth 100 protestues u mblodhën jashtë sallës, duke thirrur në një zë: “Turp për ju“. Në brendësi të ndërtesës, nuk u përmend lufta midis Izraelit dhe Hamasit, me theksin që u vendos te komentet e ashpra kundër presidentit amerikan, të cilat këtë herë kishin të bënin me moshën e Biden dhe rënien e tij teksa ngjiste shkallët e avionit presidencial.
Një nga grupet që organizoi protestën përpara hotelit, “Code Pink”, thanë se donin të ndalonin darkën për të protestuar kundër “bashkëpunimit të administratës Biden në shënjestrimin dhe vrasjen e gazetarëve palestinezë nga ushtria izraelite”.