Kroacia dhe katër vende tjera i bashkohen sponsorizimit të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë

Përveç njoftimit të Kroacisë se do të bashkësponsorizojë rezolutën mbi gjenocidin e Srebrenicës, listës tashmë të gjatë i janë bashkuar edhe pesë vende të tjera.

Vendet që njoftuan dje se po i bashkohen bashkësponsorizimit janë Estonia, Bullgaria, Luksemburgu, Polonia dhe Bangladeshi.

Seanca e Asamblesë së Përgjithshme ku do të diskutohet kjo rezolutë do të mbahet në mes të majit, ndërsa për atë periudhë (15 maj) është caktuar edhe seanca e rregullt e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku diskutohet situata në Bosnje dhe Hercegovinë.

Pesëshja e fundit e vendeve iu bashkuan listës së mëparshme të vendeve bashkë-sponsorizuese të rezolutës që synon ta bëjë përkujtimin e përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë me karakter zyrtar ndërkombëtar, siç është rasti me Holokaustin dhe gjenocidin në Ruandë. Propozuesit e rezolutës janë pikërisht Ruanda dhe Gjermania.

Siç mëson portali nga Bosnja, Klix.ba, seanca e Asamblesë së Përgjithshme nuk do t’i kushtohet ekskluzivisht rezolutës së përmendur.

Në fakt, rezoluta do të konsiderohet si pjesë e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së “Kultura e Paqes” si një seancë e rregullt e Asamblesë së Përgjithshme. Pasi Misioni i Bosnjës dhe Hercegovinës në OKB i dërgoi dje zyrtarisht rezolutën kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme Dennis Francis, kjo iniciativë do të shqyrtohet pas pesë ditësh pune nga paraqitja e saj.