Muzeu Historik Kombëtar përkujton sot Mehmet Ali Vrionin.
Më 13 maj të vitit 1842 lindi Mehmet Ali Pashë Vrioni, atdhetar, politikan, diplomat shqiptar e nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mehmet Ali Pashë Vrioni është babai i Kryeministrit të shtetit shqiptar, Ilias Bej Vrioni dhe gjyshi i përkthyesit të shquar, Jusuf Vrioni. Nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Berat, anëtar i Shoqërisë së Stambollit, anëtar i Komitetit të Janinës, anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve, deputet i Beratit në Parlamentin e Perandorisë Osmane.
Misioni më i madh i jetës së tij ishte zgjidhja e çështjes shqiptare. Forcat e tij u përqendruan në ndërmarrjen më të madhe kombëtare të asaj kohe, e cila ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila hapi Kuvendin më 10 qershor 1878 në Prizren, me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit më 13 qershor 1878. Kryetar i Lidhjes së Prizrenit u shpall Abdyl Bej Frashëri dhe nënkryetar i saj Mehmet Ali Pashë Vrioni.
Fill pas punimeve të Lidhjes së Prizrenit Mehmet Ali Pasha, udhëhoqi së bashku me Abdyl bej Frashërin, përfaqësinë shqiptare në Kongresin e Berlinit në 13 Maj 1878. Të dy i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat shqiptare të Lidhjes të Prizrenit: bashkimin e katër Vilajeteve Shqiptare dhe njohjen e tyre si territor autonom nën kuadrin e Perandorisë Osmane; përgatitjen politiko-ushtarake të këtij territori shqiptar; sigurimin e përkrahjes për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Më 30 Mars 1879 Mehmet Ali Pashë Vrioni së bashku me Abdyl bej Frashërin u nisën sërish nga Preveza në drejtim të kryeqyteteve kryesore të Evropës për të siguruar përkrahje për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare. Vdiq në vitin 1895./atsh