Duket se pas masakrimit për vdekje të të shoqes dhe nënës së dy fëmijëve të tij, Eduart Denaj ka shkuar në një market, ka blerë dy birra dhe më pas është futur në një godinë në ndërtim e sipër, dhe është fshehur për disa orë.
Siç shihet nga pamjet (VIDEO) e publikuara në mediat greke, në ambientet e kësaj godine qëndrojnë ende shishet e birrave. Sipas raportimeve, thuhet se ai është pikasur nga një qytetar, i cili ka njoftuar policinë duke i thënë se një person i dyshimtë ndodhej në këtë ndërtesë.
Pasi ka mbërritur policia, ai është gjetur i dehur, dhe nuk ka bërë rezistencë teksa i vendoseshin prangat. Siç raportoi edhe korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe, për shkak se është arrestuar në gjendje të dehur, ai ende nuk është marrë në pyetje.
Ndërkohë, këto pamje të siguruara nga korrespondenti i Top Channel në Greqi, Artur Bibe, tregojnë sherrin e ndodhur mes tyre më 7 maj, ditën kur Enkelejda Danaj e ka denoncuar për herë të fundit në polici.
Në video dëgjohet mes të tjerash gruaja që i thotë “largohu, mbaroi”. Çifti i dy fëmijëve adoleshentë, prej asaj ditë jetonin në dy shtëpi të ndryshme, por afër njëri-tjetrin.