Vriten tre turistë spanjollë në Afganistan

Tre turistë spanjollë dhe një shtetas afgan u qëlluan për vdekje të premten në Bamyan, qytet turistik në Afganistan.

Ky është sulmi i parë ndaj turistëve të huaj në Afganistan që kur talebanët u kthyen në pushtet në muajin gusht të vitit 2021.

“Tre të huaj dhe një afgan u vranë” dhe “katër të huaj dhe tre afganë u plagosën” në sulmet me armë, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme afgane, Abdul Mateen Qaniee, pa sqaruar nëse një ose më shumë persona qëndronin pas sulmit.

Në Madrid, një burim nga Ministria e Punëve të Jashtme bëri të ditur se tre të huajt e vrarë ishin spanjollë, raporton reuters.

“Tre spanjollë u vranë dhe të paktën një u plagos në një të shtëna në Afganistan”, tha burimi, i cili dëshiroi të mbetet anonim.

Ai shtoi se Ministria po përpiqet të sqarojë se çfarë ka ndodhur, të ndihmojë të lënduarit dhe të kontaktojë me familjet.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez tha se ishte i tronditur nga vrasja e turistëve spanjollë dhe shtoi se po monitoronte situatën.

Në Kabul, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme tha se janë arrestuar katër të dyshuar.

Burime spitalore thanë se katër të plagosurit ishin shtetas të Norvegjisë, Australisë, Lituanisë dhe Spanjës. Nuk dihet ende se cili ishte motivi i sulmit.

Bamyan është destinacioni kryesor turistik në Afganistan, ku ka edhe një pjesë nën mbrojtjen e UNESCO-s.