Arben Manaj: Shqiptarët vdesin në Angli dhe shteti nuk ka para t’i kthejë në shtëpi, por për evenimente politike ka

I ftuar në “Ditari i Fundjavës” nga Erion Dushi në A2 CNN ishte gazetari Arben Manaj, i cili ka folur mbi kushtet dhe të drejtat e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe.

Manaj ka vënë në dukje faktin se, edhe sot pas 15 vitesh qëndrimi atje, ai si shqiptar nuk ka të drejtë të votojë dhe këtë ai e konsideroi fyerje, duke mos i dhënë asnjë rëndësi asaj që ai ka arritur deri më sot.

Ai kërkoi që të investohet më shumë në ngritjen e konsullatave për shqiptarët që të kenë më shumë lehtësi, ndërsa solli në vëmendje një problematikë të m

adhe me shtetasit shqiptarë, që vdesin në Britaninë e Madhe dhe nuk mblidhen dot as paratë e nevojshme për të sjellë trupat e tyre të pajetë në atdhe.

“Sot pas 15 vitesh, unë si shqiptar Shqipëria nuk kam të drejtë të votoj dhe kjo për mua është fyerje, për mua nuk ka rëndësi fare gjithçka që unë kam arritur.

Dhe shumica e shqiptarëve e kanë arritur me ndihmën e tyre. Përveç kësaj marrëveshjes së pensioneve, çfarë kontributi kanë pasur qeveritë shqiptare në lehtësimin e jetës së shqiptarëve.

Unë do doja që këto para që harxhohen me miliona dhe nuk dihet se ku shkojnë dhe se sa është fatura, të shkonin në më shumë konsullata shqiptarësh, që të kenë lehtësi.

Po flas këtu edhe për shqiptarët e Britanisë, sepse vdesin shqiptarët këtu, por nuk arrijnë të mblidhen dy lekë për transferimin e trupave të tyre në Shqipëri, sepse shteti nuk ka lekë për ta, por për evenimente të tilla paska dhe siç duket xhepi qenka shumë i thellë.”, u shpreh ndër të tjera Arben Manaj në “Ditari i Fundjavës” në A2 CNN.