Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu gjendet mes dy zjarreve: nga njëra anë presioni ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe nga ana tjetër kërcënimet brenda kabinetit për të mos pranuar armëpushimin.
Dy ministra nga e djathta ekstreme në qeverinë e Izraelit kanë kërcënuar të dorëhiqen dhe të rrëzojnë koalicionin qeveritar nëse kryeministri Benjamin Netanjahu pranon armëpushimin në Gaza, i propozuar nga Presidenti amerikan Joe Biden, ditën e premte. Ministri i Financave Bezalel Smotrich dhe ministri për Sigurinë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, e bënë të qartë se kundërshtonin çdo marrëveshje para se Hamasi të shkatërrohej.
“Ujdia, detajet e së cilës u publikuan sot, nënkupton fundin e luftës dhe dorëzimin e Hamasit. Kjo është një marrëveshje e pamend, e cila është një fitore për terrorizmin dhe rrezik për sigurinë e Izraelit. Të pajtohesh me një marrëveshje të tillë nuk është fitore absolute, por disfatë absolute. Ne nuk do të lejojmë fundin e luftës pa eleminimin e plotë të Hamasit”, u shprehën ministrat.
Megjithatë, një bashkëpunëtor i kryeministrit Netanjahu konfirmoi të dielën se Izraeli e ka pranuar marrëveshjen e propozuar nga Biden, edhe pse konsiderojnë se ajo ka të meta.
Më herët, Netanjahu deklaroi se nuk do të ketë armëpushim të përhershëm derisa të gjitha kapacitetet ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit të shkatërrohen dhe të gjitha pengjet të lirohen. Plani prej 3 pjesësh i Biden do të niste me një armëpushim 6-javor, ku forcat izraelite të mbrojtjes do të tërhiqeshin nga zonat e populluara të Gazës. Ujdia do të çonte në lirimin e të gjitha pengjeve, një armëpushim të përhershëm dhe një plan për rindërtimin e Gazës.
Dhjetëra mijëra njerëz protestuan në Tel Aviv, duke i bërë thirrje qeverisë të pranojë planin e Biden. Shumë prej demostruesve kërkuan gjithashtu dorëheqjen e Netanjahut.