Dëshmitari: Bajroviqi ndau kolonën e civilëve; ishte me antiplumb e kallashnikov

Dëshmitari Shefqet Berisha ka deklaruar para Gjykatës Themelore në Prishtinë se e ka parë Ekrem Bajroviqin tek e ndante kolonën e civilëve në Saradran në maj të 1999-s. Berisha tha se Bajroviqin e njihte edhe më herët si polic.

I akuzuari për krime lufte në rajonin e Istogut, Ekrem Bajroviq, ishte i veshur me rroba të policisë, me antiplumb dhe i armatosur me kallashnikov në maj të 1999-s, ka thënë para Gjykatës Themelore në Prishtinë të martën dëshmitari Shefqet Berisha.

Dëshmitari Berisha ka treguar se më 7 maj e kishte parë të akuzuarin Bajroviq tek e ndante në dysh kolonën e civilëve shqiptarë në fshatin Saradran.

“Më 7 maj 1999 në Staradran ka ndodhur një…nuk mund ta përshkruaj as tmerrin e asaj dite që ka ndodhë. Edhe mund t’ju them që përmbi 50.000 refugjatë ishin atë ditë aty. Asnjë ushtar i UÇK-së. Këta e kanë nda kolonën. Ky u kanë prezent me polic të Gurrakocit e me paramilitarë me maska… Po e kom pa Ekrem Bajroviqin në kodër të Staradranit kur e kanë nda kolonën, gjysmën për Dobrushë e gjysmën kah shkolla”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka deklaruar se e pa të akuzuarin edhe më 8 maj, në fshatin Zallc, ku ndodheshin edhe policë të tjerë.

“E kam parë duke i tërhequr nga kolona meshkujt edhe duke i lypë nëpër traktora… Më kujtohet ky, më kujtohet Banjaci, Stojkoviqi ai ka qenë i ulur e duke na pritur aty se e kishin bërë ceremoninë për me na llomitë?” ka thënë tutje ai.

Në një depo të zbrazët në fshatin Zallc, ka thënë se u keqtrajtua bashkë me shumë të tjerë prej policëve të Gurrakocit, por se ishte me kokë nga muri, andaj s’mund ta shihte nëse Bajroviqi ishte aty.

U shpreh se ai e qindra burra civilë shqiptarë që nuk u dëbuan për në Shqipëri, u dërguan fillimisht në burg të Gurrakocit, në Pejë e më pas në Serbi. Berisha, po ashtu, ka treguar se u keqtrajtua aq shumë saqë nuk i ra më në mend të kërkonte ujë.

Avokati i të pandehurit, Lubomir Pantoviq, e ka pyetur dëshmitarin se pse nuk e kishte përmendur në dëshminë e tij në polici vitin e kaluar se e kishte parë Bajroviqin më 8 maj.

Dëshmitari u shpreh se në gjykatë ju janë kujtuar elemente të reja, meqë e ka treguar rrëfimin e tij fije për pe.

Ekrem Bajroviq akuzohet për përfshirje në vrasje, keqtrajtim, torturë e plaçkitje të refugjatëve në Saradran më 8 maj 1999, ku u vranë mbi 150 civilë shqiptarë.

Prokuroria e ka akuzar atë edhe për pjesëmarrje në arrestim, kidnapim dhe keqtrajtim të 84 civilëve shqiptarë më 7 maj 1999 në Gurrakoc.