Nga kalaja simbol i kryeqendrës kulturore të veriut, vjen rishtas një zbulim i jashtëzakonshëm.
Ekspedita arkeologjike polake, që po kryen prej ditësh gërmime në kala dhe në zonën përreth, ka gjetur një skelet që mendohet të jetë rreth 900- vjeçar.
Ai është nxjerrë në sipërfaqe me mjaft kujdes, me qëllimin për të mos pësuar asnjë dëmtim. Arkeologët polakë, mendojnë se ky zbulim i përket shekullit të 12-të, çfarë pritet të konfirmohet zyrtarisht.
Në të njëjtën kohë, për të vërtetuar hipotezën, skeleti do të dërgohet për ekspertizë më të hollësishme në një laborator në Francë, ndërsa përgjigja zgjat një vit.
Përgjegjësi për arkeologjinë në Shkodër, Helidon Sokoli, shprehet për mediet, se këto kërkime synojnë të zbardhin lashtësinë e kështjellës së Rozafatit.
“Kemi vazhduar me disa kërkime në tre oborret e kalasë, për të parë shtresëzimin e strukturave, duke filluar që nga ato më të vonat, otomane mesjetare, veneciane për të vazhduar më thellë, me të antikitetit.
Ne jemi të interesuar për të parë antikitetin, si është e zhvilluar kalaja në fazat më të hershme, nga antikiteti i vonë deri në fazat helenistike, por duhet të shkojmë shumë më thellë, për të arritur këto shtresa të hershme”.