Në periudhën nga viti 1860 deri në vitin 1888, në Firence, ka jetuar një grua që konsiderohet “një nga mendjet më të ndritura e më të zgjuara të Europës” e që antropologu Paolo Mantegazza e përshkruante në këtë mënyrë:
“Një trup i përsosur, e hirshme e me zemër fisnike, me mendje artisti e mendimtari. Këto tre veti të marra së bashku janë të rralla për t’u gjetur te një njeri, madje edhe vetëm njëra prej tyre, por të gjitha së bashku përbëjnë diçka të veçantë. Vetëm fati mund ta krijojë këtë mrekulli; dhe kjo mrekulli që kishte krijuar natyra ishte në gjendje t’i përhapte të gjitha ata virtyte të mëdha dhe të ndryshme, kjo mrekulli e kishte emrin Elena Gjika, e cila më pas e pagëzoi veten, në botën e letërsisë, me një emër të dytë edhe më të njohur, Dora D’Istria”.
Elena Gjika kishte lindur në Bukuresht më 22 janar 1828. Ajo ishte e bija e princit Mihal Gjika me origjinë shqiptare, guvernatori i principatës së Vllahisë, një arkeolog i shquar dhe themelues i muzeut të parë kombëtar në Rumani, vëllai i Gregorit të IV dhe Aleksandrit të II (pasardhës i Gjergjit të IV në të njëjtin fron, në vitin 1834) dhe Katinka Faka, përkthyese e veprave të letërsisë franceze.
Edukimi i saj dhe formimi kulturor i ishin besuar një mësuesi të shquar të asaj kohe, i cili e vlerësoi gjithmonë si një grua gjeniale, Gregor Gjergj Papadopulos (Gregory George Papadopulos) i Selanikut që më vonë do të bëhej një personazh i nivelit të lartë i botës kulturore greke. Ai themeloi në Athinë një shkollë të famshme për arsimimin e të rinjve: “Shkolla helenike”, më vonë u bë drejtor i Shkollës Normale, dhe së fundmi funksionar i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ngjarjet politike që atëherë tronditën Gadishullin ballkanik e detyruan Dora d’Istrian që të jetonte larg nga Bukureshti, në vende të ndryshme të Europës. Ajo e kaloi rininë e saj në Vjenë, Venecia, Drezden dhe Berlin, derisa në vitin 1849 ajo u martua me Princin Koltzoff – Massalsky, që i përkiste një prej familjeve më të vjetra fisnike ruse. Pasi mbeti e ve dhe pa fëmijë, ajo e la Rusinë, sepse nuk e duroi klimën politike joliberale dhe nga ky moment filloi për të një periudhë shtegtimi, udhëtimesh e studimesh, që kishin një gamë shumë të gjerë interesash, duke filluar nga historia, filozofia, reflektimet mbi çështjet fetare, politike, ekonomike, letrare e deri te thellimi i traditave popullore. Për shkak të personalitetit të saj eklektik ajo iu përkushtua madje edhe muzikës e pikturës që i praktikoi me shkathtësi, aq sa në vitin 1854 disa nga pikturat e saj u vlerësuan me çmime në Ekspozitën e Arteve të Bukura në Shën Pjetërburg.
Pas largimit nga Rusia ajo jetoi në Zvicër, në Francë, në Greqi dhe në Itali, ndërmjet Venedikut dhe Firences, ku ajo u vendos në një vilë të vogël, në atë kohë jashtë qytetit, në Rrugën “Leonardo da Vinçi”, nga e cila largohej për ekskursionet e saj të vazhdueshme në drejtim të Ligurias, ose për të përshkuar itinerare më të gjata. Udhëtoi duke arritur deri te territoret në skajet veriore të Europës e deri në jug të Greqisë, gjithashtu vizitoi, gjë shumë e pazakontë për atë kohë, Shtetet e Bashkuara dhe mori pjesë në ngjitjen e majës Mönch në Alpet Bernese të Zvicrës jugore.
Ajo zgjodhi si pseudonim artistik emrin “Dora d’Istria”, sepse përmblidhte gjithçka që përbën themelin e punës së saj: lidhjen e fortë me vendin, rrënjët e saj dhe në të njëjtën kohë një konceptim kozmopolit dhe tolerant, të hapur ndaj botës dhe kulturës.
Në një epokë që përtërinte magjepsjen e miteve të lashta të lumenjve, pseudonimin artistik nuk e zgjodhi në mënyrë të rastësishme: Dora d’Istria ishte efektivisht Dora e Istro-s dhe Istro është Danubi, lumi i gjatë që kalon nëpër Rumani, pasi ka përshkuar tokat e tjera europiane, nga malet gjermane në Detin e Zi dhe që bashkon popuj të ndryshëm për sa i përket historisë, politikës, fesë dhe gjuhës. Bëhej fjalë për një metaforë gjeografike që transmetonte mesazhin e paqes në një rajon, atë të Ballkanit, gjithmonë i përçarë dhe në luftë.
Vetë emri Dora e ka prejardhjen nga “vijë uji”, siç është “Europa” në traditën mitologjike, e dhënë nga Hesiodi, emri i një burimi dhe i një hyjnie që vjen nga deti.
Ideja e lirisë dhe një besim i madh në përparimin e kanë frymëzuar gjithmonë Dora d’Istria-n, e cila gjatë gjithë jetës së saj ka mbështetur vlerat e demokracisë, duke shkruar në mbrojtje të të shtypurve, kundër sundimit austriak dhe në favor të lirisë së popujve të Ballkanit, të Greqisë dhe të Italisë.
Ajo ka qenë gjithmonë kundër obskurantizmit kudo që ishte, si të “despotizmit oriental” ashtu edhe të “tiranisë jezuite”. Pa mbetur rob e asnjë ideologjie, ajo shfaqi bindjen se duhet të luftohej kundër totalitarizmit dhe se çdo popull do të duhej të zgjidhte formën e qeverisjes më të mirë e më të përshtatshme sipas realitetit në të cilin gjendej.
Një model për t’u ndjekur mund të ishte sipas saj Zvicra, i vetmi vend në Europë, ku sistemi republikan kishte triumfuar dhe se, pavarësisht që duke pasur popullsi të ndryshme, me dy fe në kundërshtim me njëra-tjetrën, ishte e organizuar në mënyrë demokratike, në kantone, me forma të ndryshme të kushtetutës, nga shteti patriarkal i Graubünden te demokracia e modeluar alla franga e Gjenevës.
E vlerësuar nga Maxini dhe Garibaldi, sepse kishte mbështetur gjithmonë vlerën e demokracisë në mbrojtje të të shtypurve, të lirisë së popujve të Ballkanit, Greqisë dhe Italisë, ndihmoi për të hedhur bazat për ndërtimin e një Europe të popujve, e cila të tejkalonte Europën e shteteve.
Nuk ishte rastësi që një nga aktivistët e parë të lëvizjes kulturore të shqiptarëve të Italisë, Dhimitër Kamarda në vitin 1870 publikoi në Livorno një përmbledhje poezish “Dora D’Istrias. Shqiptarët”. Vetë Angelo de Gubernatis, studiues orientalist, shkrimtar, profesor i sanskritishtes dhe mitologjisë krahasuese në Universitetin e Firences, themelues i Muzeut Montughi, do të magjepsej nga kultura e thellë dhe me një ndjenjë të fortë kritike e Dora d’Istrias, madje edhe Giuseppe Garibaldi e quajti atë një “Hero-motër, një shpirt i përkushtuar idealeve më të larta”.
Në vitin 1867 ajo u bë qytetare nderi e Athinës, ky titull përpara saj iu dha vetëm Lord Bajronit, pas ndërhyrjes së tij në favor të pavarësisë së Greqisë. Dora d’Istria bëri pjesë në shoqërinë gjeografike më të famshme të Europës, atë të Parisit.
Fakti që personaliteti i Elena Gjikës është konsideruar kaq i jashtëzakonshëm nga bashkëkohësit e saj dhe nga autorët e gjysmës së parë të shekullit të njëzetë, në një kohë kur roli intelektual i grave ishte pak i njohur, e bën edhe më të pashpjegueshëm faktin se si ajo, më vonë, është lënë në harresë dhe nuk studiohet, ashtu siç do ta meritonte, një ndër figurat më të rëndësishme femërore të shekullit të kaluar, pikërisht ajo që ka shkruar një gjeohistori të grave “Les Femmes en Orient” (Femrat në Lindje) në vitin 1860 dhe “Des femmes par une femme” (Femrat për një femër) e vitit 1865, “Les Femmes fortes” (Femrat e forta) të 1871-shit, “Lettre à la presidente de l’Association des dames grecques pour l’istruction des femmes” (Letër drejtuar kryetarit të Shoqatës së zonjave greke për arsimimin e femrave) 1872, ”The ëoman question in Austria e The ëoman question Germany” (Çështja e gruas në Austri dhe çështja e gruas në Gjermani në 1873-shin), e të tjera.
Ajo arriti të zbulojë universin femëror nëpërmjet udhëtimeve të saj të shumta dhe e “fotografoi” në të gjitha detajet nëpërmjet shkrimeve të saj të shumta që i botoi në revistat më prestigjioze të kohës.
Ajo përshkruante në mënyrë të imtësishme aspektin e jashtëm dhe atë të sjelljes, si të grave “normale” që bënin jetën e tyre të përditshme në shkretëtirat e akullta të Laponisë, ashtu si edhe të atyre në vendet e shkreta e të thata të malësive aziatike, e të grave europiane të çdo vendi. Ajo foli për gratë cigane, jo më pak se për gratë e “jashtëzakonshme”, që shiheshin si të shenjta, si mbretëreshat e poeteshat: të gjitha kishin vendin e tyre në histori. Ajo e përqendroi vëmendjen e saj ndaj grave të Europës lindore, duke përfshirë edhe ato që jetonin në rajonet e largëta të Rusisë aziatike dhe të Perëndimit, duke qenë në gjendje të krahasojë kulturat e ndryshme dhe duke i përhapur këto njohuri.
Dora d’Istria shprehu gjithmonë të menduarit e saj feminist, rigoroz në nivel intelektual: analizoi statusin e grave përballë të drejtës civile dhe fetare, denoncoi Konkordatin, i cili e kishte bërë martesën “të parevokueshme”, si dhe jetën e manastirit, ndryshe nga Kodi i Napoleonit i cili, përkundrazi, e kishte lejuar divorcin.
Ajo teorizoi barazinë qytetare, zgjerimin e garancive sociale që u janë dhënë grave në disa vende, rëndësinë që duhet të ketë një edukim i ndryshëm ndaj femrave, nga edukimi dominues konvencional, një arsim që do të duhej të nxiste zhvillimin progresiv të aftësive të veçanta natyrore individuale.
Jo rastësisht juristi Carlo Francesco Gabba botoi një libër me një titull shumë domethënës “Çështja e femrave dhe princesha Dora d’Istria”, i cili doli në dritë në vitin 1865 në Firence, nga shtëpia botuese “Le Monnier”. Në vitet e debatit mbi reformën e Kodit Civil italian, projekti sqaroi opinionin parlamentar dhe ekstra-parlamentar mbi nevojat e grave, për përjashtimet e padrejta që i bëheshin gruas; pra kur gruaja ishte një parantezë në Kodin Civil, ndërsa në Kodin Penal kishte fituar një personalitet të plotë.
Ato ishin vitet, në të cilat neni 486 i Kodit Penal konsideronte shkeljen e kurorës nga ana e gruas, krim të dënueshëm me burgim nga 3 muaj deri në një vit, ndërsa për burrin quhej krim vetëm konkubinati (bashkëjetesa jashtë martese). Nuk duhet harruar se në vitin 1881 bëri bujë lajmi që e para grua u diplomua në Drejtësi në Firence: Lidia Poet, kërkesa e së cilës u hodh poshtë dy vjet pas kërkesës për t’u regjistruar në listën e avokatëve, si nga Prokurori i Përgjithshëm, ashtu edhe nga Gjykata e Apelit e Torinos (gratë u pranuan që të praktikonin profesionin e lirë vetëm në vitin 1919).
Dora d’Istria jetoi në Firence nga viti 1860 deri në vitin 1888 në kontakt me ambientin e gjallë intelektual dhe politik të periudhës së pas-bashkimit të Italisë, në fazën e lulëzimit më të madh të qytetit, kur u bë kryeqytet i Mbretërisë së Bashkuar, si dhe në periudhën e mëvonshme, pa dyshim më të vështirë për Firencen, pas transferimit të kryeqytetit në Romë.
Tregoi gjithmonë një prirje të veçantë për të ndihmuar ata që kishin nevojë dhe këtë impuls bujar, madje e manifestoi deri në fund, duke i lënë trashëgim të gjithë pasurisë e saj Institutit kombëtar të shurdhmemecëve të Firences, i themeluar ky i fundit në vitin 1884.
Në vitet e mëvonshme qyteti i Firences e përkujtoi duke i dhënë në vitin 1908 emrin Dora d’Istria një sheshi që më vonë do të quhej Piazza Torino (sot Piazza Isidoro del Lungo). Në vitin 1912, qyteti i Firences vuri një pllakë në fasadën e “Villa d’Istria”, që në atë kohë u vendos te nr. 10 në rrugën Via Leonardo da Vinci, ku Dora d’Istria jetoi deri sa vdiq në vitin 1888.
Që nga viti 1960, vila dykatëshe e rrethuar nga një park i madh dhe me mure të larta përreth, që ajo e deshi dhe vizitoi aq shumë, nuk ekziston më. Në vend të kësaj prone është ndërtuar një godinë e ndarë në disa apartamente për projektin e së cilës shumë fiorentinas kundërshtuan, duke argumentuar në peticionin e tyre se projekti do të prishte “statusin aktual të zonave të destinuara për lulishte, pasi dëmtonte rëndë ambientin, pengonte dritën dhe ventilimin e shtëpive përreth”, gjithashtu kopshti do të ishte “transformuar në një oborr të ngushtë pa ajër, dritë dhe diell”. Por, për fat të keq kështu ndodhi; “Vila d’Istria” u shkatërrua bashkë me kopshtin dhe muret.
Sot, nga Dora d’Istria, “gruaja e vetme me merita të mëdha”, siç u përcaktua nga Paolo Mantegazza, mbetet në Firence vetëm një pllakë përkujtimore e vendosur brenda një oborri të vogël të pallatit që u ndërtua në vitin 1960, dhe që gjendet në Rrugën “Leonardo da Vinçi”, nr. 28, ku shihet vetëm nga banorët e godinës që është ndërtuar në kopshtin e saj.
Teksti, i hartuar nga profesor Diego Garoglio në vitin 1915, e përmblodhi kështu jetën dhe personalitetin e Dora d’Istrias:
Princesha
Elena Koltzoff Massalsky Gjika
1828 – 1888
Me origjinë shqiptare e lindur rumune
zgjodhi të jetë fiorentine
e fisnikëroi dhe e nderoi veten
me virtytet e larta të talentit dhe mendjes
të mishëruara në emrin europian Dora d’Istria
–
në kujtim të pothuaj tridhjetë vjetëve ku jetoi
në këtë shtëpi, ku ajo vdiq,
me mirënjohje dhe nderim Bashkia vendosi
këtë kujtim
1915
Shkruar nga Marta Questa, punonjëse shkencore fiorentine
Shqipëruar nga Gino Luka
Shqiptariiitalise.com