12 dhe 13 qershori shënon festen e Shna Ndout, ku mijëra pelegrinë i drejtohen Kishës së Laçit në shenjë sakrifice, falënderimi dhe lutjeje për t’iu plotësuar dëshirat.
Që prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të mërkure mijëra pelegrinë i janë drejtuar këtij vendi të shenjtë për të kremtuar festen e Shna Ndout.
Të shumtë janë ata që e kalojnë natën në kishën e Laçit, ndërsa për mbarëvajtjen e pelegrinazhit janë angazhuar dhjetëra forca policie dhe shërbimi shëndetësor.
Peleginazhi i shenjtë i besimtarëvë të feve të ndryshme fillon në mes të muajit mars, që është e marta e parë e pelegrinazhit në shenjtoren e Shna Ndout dhe përfundon në 13 qershor që është dhe festa e këtij shenjti.
Për 13-të të marta, besimtarë të shumtë të të gjitha feve, me qirinj në duar dhe me lutje të veçanta sfidojnë fatin e tyre, duke besuar në mrekullitë e Shna Ndout. Rituali i shenjtores fillon sapo kalon qytetin e Laçit dhe fillon ngjitjen në mal.