Një fragment nga libri i misionarit protestant Edwin Jacques mbi etnogjenezën shqiptare. Një mendje briliante dhe një pasion i zjarrtë, Jacques do të krijonte një nga historitë më përmbledhëse për Shqipërinë dhe shqiptarët, në një kohë kur Shqipëria që aq shumë e deshi përjetoi një nga letargjitë më të gjata dhe më të hidhura: ata që e deshën, shqiptarë e të huaj, u privuan prej saj në një rravgim të pakuptimtë drejt utopive ideologjike.
Shumë vija të arsyetimit i kanë bindur dijetarët se populli shqiptar dhe gjuha e tyre zanafillojnë prej ilirëve të moçëm.
Emri kombëtar Albani është emri Albanoi, një fis ilir i zënë gojesh nga gjeografi Ptoleme i Aleksandrisë rreth vitit 150 pas Krishtit.
Toka e Albanoi e qendërzuar rreth Albanopolit, midis Durrësit dhe Krujës, është zemra e Shqipërisë së sotme.
Katër popuj që flisnin gjuhët e tyre jetonin në Ballkan në kohërat e lashta: grekët në jug, maqedonasit në qendër, thrakët në lindje dhe ilirët në perëndim. Sot shqipja flitet kryesisht në të njëjtat visore ku flitej ilirishtja në kohërat e vjetra.
Ato pak thërrime gjuhësore që janë të njohura si ilire mund të shpjegohen përmes gjuhës shqipe dhe asnjë tjetër.
Një përqasje gjuhësore mes shqipes dhe greqishtes e latinishtes së vjetër tregon se shqipja u ngjiz si gjuhë në një periudhë më të moçme sesa gjuhët e tjera të lashta.
Të dhënat arkeologjike dhe historike dëshmojnë për një vijimësi kulturore prej ilirëve deri te shqiptarët. Kontaktet e vazhdueshme me popujt dhe gjuhët e tjera kanë lënë tragat e tyre në fjalorin e shqipes. Fjalë të huaja janë huazuar nga greqishtja, latinishtja, sllavishtja dhe turqishtja, por shqipja është ruajtur si gjuhë më vete, sistemi i saj gramatikor ka mbetur praktikisht i pandryshuar.
Gjuhëtarët hetojnë ngjashmëri të shumta teknike mes fjalëve ilire dhe shqipe.
Huazimet prej greqishtes veriore dhe latinishtes të trupëzuara në gjuhën shqipe pasqyrojnë trysnitë e mirënjohura politike dhe kulturore në territorin ilir. Kërkimet gjuhësore tregojnë se shqipja u zhvillua nga ilirishtja si një gjuhë e përveçme midis shekujve katër dhe gjashtë të erës sonë. Zaten huamarrjet e vjetra nga greqishtja dhe latinishtja nuk mund të kenë hyrë drejtpërdrejtë në shqip, por në ilirisht, prej të cilës këto fjalë kaluan në shqip. Gjuhësia historike thekson se këto huazime nga greqishtja e vjetër ishin në të folmen dorike dhe kanë hyrë në ilirisht përmes ngulimeve tregtare korinthiane në Korfuz, përgjatë brigjeve të Adriatikut dhe përmes qyteteve kufitare. Huazimet latine erdhën më vonë gjatë sundimit të gjatë romak. Këto kontakte të vjetra greke dhe romake ngjanë pikërisht në territorin e Ilirisë së vjetër, duke lënë gjurmët e tyre në ilirisht prej të cilës më vonë kaluan në gjuhën shqipe.
Emërvendet ilire, emrat e moçëm ilir për qytetet, lumenjtë dhe malet janë ruajtur në gjuhën shqipe, dhe vetëm në shqip. Emrat e fshatrave në Ballkan rëndom u ruajtën vetëm disa shekuj, meqë ato shkretoheshin krejtësisht gjatë luftërave. Qytetet jetonin më gjatë, që do të thotë se emrat e tyre janë zakonisht më të vjetër. Por lumenjtë, liqenet dhe malet jetojnë përgjatë shekujve, dhe emrat e tyre të vjetër vazhdojnë të jenë në përdorim. Edhe banorët e rinj zakonisht përvetësojnë emrat e vjetër, njësoj sikur kolonistët amerikanë që përvetësuan shumë emër-vende të vjetra indiane në Shtetet e Bashkuara. Së këndejmi, gjuhëtarët shqiptarë kanë gjetur më shumë sesa 300 emra të qyteteve të vjetra si Shkodra, lumenjëve si Drini dhe maleve si Tomori që janë përmendur nga gjeografët ose historianët e vjetër grekë apo romakë dhe që janë ende në përdorim në Shqipëri. Dijetarët tregojnë sesi rregullat e fonetikës historike shpjegojnë çdo zhvillim të shqiptimit përgjatë shekujve prej ilirishtes në shqip, si Scupi në Shkup, Scodra në Shkodër, Lissus në Lezhë, Durrachium në Durrës, Drinus në Drin, Mathis në Mat. Sigurisht se shqipja rrjedh nga ilirishtja.
Emrat e pastër ilirë vazhdojnë të përdoren nga shqiptarët e sotëm. Shumë emra personash ilirë janë ruajtur në epitafe dhe mbishkrime monedhash. Pastaj emrat e njerëzve të tjerë si udhëheqësit ilirë Agroni dhe Teuta janë përmendur nga historianët grekë dhe romakë. Dijetari shqiptar Mahir Domi pretendon se ka identifikuar 800 të tillë.
Termat e shumtë detar për bimët dhe kafshët e detit në shqip tregojnë se ky popull ka jetuar përgjatë bredgetit që përkon me territorin ilir.
Ka fjalë të tjera në shqip të cilat shkrimtarët grekë dhe romakë i kanë identifikuar shkoqur si ilire në rrënjë. Përgjatë shekujve shumë popuj të mëdhenj janë shkatërruar ose asimiluar nga të tjerët ose janë zhdukur kryekreje. Por populli ilir me veshjen e tij të dallueshme, muzikën, traditat dhe sidomos gjuha e tyre ka mbijetuar në territorin e tyre të ngushtuar përskaj brigjeve perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Pa asnjë shënim apo traditë që do të fliste për zhdukje, asimilim apo lëvizje, mund vetëm të përfytyrohet vijimësia e tyre e pakëputur historike. Nuk duket se ka dyshim se shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e pandërprerë historik të ilirëve të cilët njihen si banorë të të njejtit territor në kohërat e vjetra greke dhe romake.
(Edwin E. Jacques, The Albanians: An Ethnic History from Prehistoric Times to the Present, 1995, ff. 37-38)