Papa Françesku ka miratuar shpalljen e dy martirëve të tjerë shqiptarë duke e çuar në 40 numrin e klerikëve të vrarë për shkak të besimit të tyre.
Lajmi u njoftua nga Kisha Katolike Shqiptare e cila bën të ditur se gjatë audiencës që dha Hirësia e Tij Kardinal Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve, Papa Françesku autorizoi të njëjtin Dikaster të shpallte Dekretet në lidhje me: Martirizimin e Luigj Paliq dhe Gjon Gazulli.
Në 2016-ën kur u shpallën 38 martirët e tjerë, këto dy emra mbetën jashtë kësaj liste për shkak se procesi u nda në tri faza. Është unik fakti që kisha katolike shqiptare, një kishë e vogël në botë ka 40 martirë.
Luigj Paliq dhe Gjon Gazulli janë një personifikim i qëndresës përballë dy regjimeve të ndryshme politike.
Atë Luigj Paliq nuk pranoi që të ndryshojë identitetin e tij prej shqiptari dhe për këtë arsye malazezët ia shpuan trupin me bajoneta. Një fat tragjik pati edhe Atë Gjon Gazulli i cili u var nga Mbreti Zog për shkak se kundërshtoi politikat diskriminuese ndaj Dukagjinit.