Një tjetër thesari të ikonografisë që bën pjesë në fondin muzeor të Muzeut “Onufri” i rikthehet shkëlqimi.
Pas një pune disamujore kryer në laboratorin e Konservimit e Restaurimit në Muzeun Onufri në Berat nga restauratori Erion Lezi, përfundoi ndërhyrja restauruese për ikonën “Pesë Apostujt” vepër e shek. XVII, atribuar Onufër Qipriotit.
Ikona edhe pse e restauruar përpara disa dekadash paraqiste problematika të ndryshme si: dëmtim të kornizimit, grundit dhe shtresave përgatitore, dëmtim të pelikulës piktorike, shoqëruar me papastërti të qëndrueshme të lëna nga restaurimi i mëparshëm (dyll dhe parafine) si dhe oksidim verniku.
Të gjitha këto copëtonin tërësinë e skenës, tjetërsonin elegancën dhe bukurinë e ikonës, si dhe rrezikonin degradimin e saj.
Sot ikona paraqitet në shkëlqimin e plotë të saj dhe së shpejti do t’i ofrohet e ekspozuar për publikun e gjerë të Muzeut Ikonografik “Onufri”./ atsh