Kryeministri i Serbisë, Milos Vuçeviq, ka reaguar pasi në nënstacionin e Vallaçit është vendosur tabela e KOSTT. Ai këtë e ka konsideruar si “sulm” të institucioneve të Republikës së Kosovës “ndaj Korporatës Elektrike të Serbisë”, shkruan KO.
Ai ka thënë se shpreson që për një gjë e tillë të reagojë bashkësia ndërkombëtare.
“Kam frikë se jo dhe se do të japin vetëm mesazhe boshe”, ka thënë kreu i qeverisë serbe.
Siç pretendon ai, institucionet e Kosovës kanë vëzhguar dje nëse ndonjë serb do ta largojë tabelën e vendosur nga KOSTT.
“Ata vëzhguan nëse ndonjë serb do t’i rrëzonte, që menjëherë t’i arrestonin dhe t’i ndiqnin penalisht.” ka thënë Vuçeviq.
Ai ka folur edhe për festën e Vidovdanit në Gazimestan duke thënë se Petar Petkovic s’ishte lejuar që të futet në Kosovë. Sipas kryeministrit serb “po të ishte sipas të drejtës ndërkombëtare, qeveria serbe dje do të kishte mbajtur një seancë të posaçme në Graçanicë”.
Megjithatë thotë se një gjë e tillë s’është e mundur meqë sipas tij “ata që shkelin ligjin dhe sillen imoralisht në çdo rast, nuk respektojnë asnjë dokument, nuk respektojnë asnjë standard, nuk respektojnë asnjë rregull”.