Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, që mban edhe pozitën e nënkryetarit të UEFA-s, ka folur në një intervistë për Telegrafin për të gjitha ato që e përcollën shtëpinë e futbollit shqiptar, por edhe Kombëtaren e Shqipërisë.
Duka është ndalur edhe te organizimi i Kampionatit Evropian 2027 për grupmoshat U21 me Serbinë.
FSHF ka aplikuar së bashku me Federatën Serbe të Futbollit për organizimin e këtij eventi.
“Ka pasur shumë reagime nga tifozët, por edhe nga individë, në Kosovë e Shqipëri, gjithashtu edhe para familjes time të Federatës së Futbollit. Ne e kemi analizuar gjatë përpara se të shpallnim kandidaturën, por mendoj që edhe ata e kanë bërë, edhe në këndvështrimin politik, kanë parë më tutje, kanë menduar mesazhin që mund të japi ky bashkëpunim”.
“Unë e kam konsideruar si një armë të fortë për ta fituar këtë garë e për ta siguruar këtë kampionat, sepse mesazhi që jep është shumë i rëndësishëm”.
“Është mesazh i paqes, tolerancës, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës. E di mirë që dikush ka të drejtë të preket nga kjo, sepse plagën e kemi të freskët, por ne duhet të shohim më tej, duhet të mësohemi të bashkëjetojmë. Ne kemi në dorë të kontribuojmë që fëmijëve tanë t’i lemë një botë sa më të paqme”.
“Nëse të gjithë punojnë në këtë drejtim, konfliktet do të jenë më të vogla. Patjetër, ne nuk e harrojmë atë çfarë ka ndodhur dhe sa më shumë nxjerrim mësime se çfarë ka ndodhur, duhet të luftojmë për paqe”, deklaroi Duka për Telegraf.
Në garë për organizimin e Kampionatit Evropian U21 për vitin 2027 janë edhe Turqia dhe Belgjika.