Këto 3 ditë kanë qenë të shumta epitetet që keni dëgjuar për Ismail Kadarenë. Të gjitha ndoshta të merituara, por duhet thënë se shkrimtari i madh ishte në fakt edhe një polemizues i madh. Për vite të tërë ai u përplas hapur, për çështje jo vetëm letrare, me disa nga emrat më të njohur të botës së tij.
Nga një kërkim online vëren me qindra shkrime dhe artikuj që Kadare ose “kundërshtarët” e tij kanë bërë për njëri – tjetrin. Disa prej përplasjeve janë treguar nën zë. Të tjerat, sidomos pas rënies së diktaturës, zunë shpesh faqet e para të gazetave. Nga poltrona e shkrimtarit të madh, shpesh herë Kadareja i shpërfillte kritikët.
Ndoshta dhe me të drejtë, për të mos u dhënë atyre ushqim për të polemizuar, por nuk kanë munguar edhe rastet kur replikat kanë qenë të pamëshirshme. Përplasjet më të forta të Ismail Kadaresë kanë qenë padyshim me Arshi Pipën, Bilal Xhaferrin, Kasem Trebeshinën, Dritëro Agollin, por edhe me Rexhep Qosen e Ibrahim Rugovën.
Grindja me Kasëm Trebeshinën
Përplasja mes Kadaresë dhe Trebeshinës nuk ishte thjesht letrare. Trebeshina e quajti deri në vdekje Kadarenë si një prej shkaktarëve kryesorë të fatkeqësive të tij. E akuzonte deri për shkatërrimin e fatit të shumë shkrimtarëve dhe poetëve të tjerë.
Në të paktat përgjigje që Kadare ka bërë për të ishte akuza se Trebeshina ishte themelues i Sigurimit të Shtetit, por edhe si autor të vrasjes së partizanit Zaho Koka që u pushkatua nga të vetët. Ky për Kadarenë ishte krimi themelor ku nisi ngritja e doktrinës komuniste në një sistem kriminal. Edhe në bisedat e zakonshme, Kadare dhe Trebeshina shfaqnin përbuzje për njëri – tjetrin.
Përplasja me Bilal Xhaferrin
“Ti vije nga sallonet e aristokracisë së kuqe,
Vinje nga “Dasma” i dehur me lavdi,
Unë vija drejt nga zemra e popullit,
Vinja nga varrimi i babait të pushkatuar”
Janë këto disa nga rreshtat e një poezie të mbushur me mllef që Bilal Xhaferri i ka kushtuar Kadaresë. Historia e sherrit mes tyre ka shumë dritë hije. Të dy ishin nga shkrimtarët më premtues të kohës, por u përkisnin dy shtresave të ndryshme shoqërore. Kadareja konsiderohej “i përkëdhelur i sistemit” ndërsa Bilal Xhaferrit komunistët i kishte pushkatuar babanë.
Ky i fundit kishte më shumë zili për vlerësimet që merrte tjetri. I famshëm është diskutimi i romanit, “Dasma” ku Xhaferri kritikoi ashpër romanin e Kadaresë në prani të Fadil Paçramit. Ky i fundit mbrojti Kadarenë në mbledhje ndërsa për Xhaferrin nisi kalvari i vuajtjeve. Iu hoq e drejta e botimit dhe u dëbua të punonte në fermën e Sukthit. Nuk i reshti asnjëherë letrat kundër Kadaresë, madje edhe në adresë të Enver Hoxhës derisa u arratis nga Shqipëria dhe vdiq në SHBA.
“Keqkuptimi” me Arshi Pipën
Përplasja e Kadaresë me Arshi Pipën nisi herët dhe vazhdoi derisa të dy u ndanë nga kjo jetë. Akuzat shkuan deri aty sa Kadare e konsideroi Pipën si një nga letërshkruesit e parë kundër tij në Akademinë suedeze të çmimit “Nobel”. Gjeneza në fakt ishte një keqkuptim. Arshi Pipa përktheu në anglisht, në fillim të viteve ’80 librin e Kadaresë, “Kronikë në gur”. Në një parathënie të tijën, Pipa shkruante se ky libër ishte një disidencë e pastër kundër regjimit të Enver Hoxhës dhe se Kadare ishte një antikomunist.
Pa e lexuar parathënien, Kadare e konsideroi këtë një provokim duke e quajtur Pipën me epitete të rënda. Diku nga vitet ’88, Kadare e lexoi parathënien dhe u pendua për ato që kishte thënë për Pipën. Atëherë kur ishte përgatitur t’i kërkonte ndjesë Pipës, ky i fundit e sulmoi ashpër Kadarenë në “Zërin e Amerikës” duke e akuzuar si një “komunist të pandreqshëm”. Edhe pas rënies së regjimit, me ardhjen në Shqipëri, mes Pipës dhe Kadaresë nuk pati asnjëherë një shtrëngim duarsh.
“Dueli i heshtur” me Dritëro Agollin
Në fillim ishin miq të ngushtë. Kishin bërë së bashku gjimnazin “Asim Zeneli”, të Gjirokastrës. Të dy studiuan në Bashkimin Sovjetik. Jetonin në një pallat, Agolli një kat sipër Kadaresë. Thuhet se Dritëroi e njohu gruan e tij Sadijen në dasmën e Kadaresë ku ishte e ftuar nga Helena. Kalonin mjaft kohë së bashku… deri në 1983 kur Agolli u bë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Në një intervistë të mëvonshme, Kadare rrëfeu se miqësia u ftoh vetvetiu pasi Dritëroi u bë zyrtar.
Ata thoshin se në bisedat e mëparshme, bënin edhe “shaka të rrezikshme” kundër regjimit, por kjo nuk mund të bëhej më. Njerëz të afërt të tyre thonë se ajo që u bë shkak për ftohjen ishte fillimisht karriera dhe privilegjet që gëzonin njëri ose tjetri. Kadare thuhet se shfaqi rezerva për librin e Agollit, “Zhurma e erërave të dikurshme” ndërsa ky i fundit ia ktheu reston me romanin “Koncert në fund të dimrit”. Një moment i rëndësishëm ishte arratisja e Kadaresë kur Lidhja e Shkrimtarëve firmosi një dokument kundër tij.
Në publik nuk pati pothuajse asnjëherë replika. Nuk ndodhi as pas viteve 90 kur Agolli u rreshtua majtas ndërsa Kadarenë “e numëronin” djathtas. Vitet e fundit shprehën vlerësime për njëri – tjetrin. “Ishte ndër lajmet më tronditës. Jo vetëm për mua, por edhe për njerëzit e artit e gjithë shqiptarët. Dritëro Agolli do na mungojë të gjithëve” – u shpreh Kadare kur ndërroi jetë Agolli.
Replikat me Rexhep Qosen
Mes të dyve pati një seri të gjatë replikash në shtyp. Shkak u bë “identiteti kombëtar i shqiptarëve” analizuar në një libër të Kadaresë. Akademiku Qosja nisi një seri shkrimesh në gazetën “Shqip” duke e akuzuar shkrimtarin për racizëm ndaj myslimanëve shqiptarë dhe myslimanëve në tërësi. Pas kësaj vijuan akuzat për pandershmëri, për konformitet përballë regjimeve, etj. Debati mes të dyve kaloi më pas edhe në akuza personale.
Ndjesa për Ibrahim Rugovën
Kadareja e kritikoi edhe Rugovën, por pas luftës së Kosovës u tërhoq. Në veprën e tij “Ra ky mort e u pamë”, Kadare bën shigjetime ndaj Rugovës, por vite më pas pranoi se e drejta kishte qenë në anën e tij. “Është e vërtetë që e kam kritikuar Rugovën dhe Demaçin. Ju tani mund të mendoni se, unë do të them se kisha të drejtë me kritiken që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi se, e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës” – u shpreh më vonë Kadare./ Lapsi