Frank Shkreli
Bashkia Shkodër në bashkëpunim me revistën “Shêjzat” njoftuan lajmin për aktin e dhurimit të bibliotekës së shkrimtarit të mirënjohur, Ernest Koliqi, nga ana e revistës “Shêjzat”, Bibliotekës “Marin Barleti”, të qytetit të Shkodrës. Dhurimi i Bibliotekës “Ernest Koliqi” Bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodër u cilësua si një akt bashkpunimi midis Bashkisë Shkodër me revistën “Shêjzat” – për transferimin e një koleksioni prej nja 1500 tituj librash, gazetash e ekstraktesh të ndryshme në bibliotekën publike të Shkodrës, “Marin Barleti”.
Sipas lajmeve, biblioteka personale e Ernest Koliqit iu dhurua bibliotekës publike të qytetit të Shkodrës me nismën e studiuesit të njohur Ardian Ndreca.
Thuhet se bëhet fjalë për rreth 1500 tituj librash dhe koleksione gazetash, të cilat, sipas profesor Ndrecës, dëshmojnë për personalitetin e Koliqit si mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, por edhe botues, ndër më të njohurat revista ishte “Shëjzat”.
Shkodra në rininë e Ernest Koliqit – foto nga Biblioteka Marin Barleti
Duhet uruar dhe përgëzuar studiuesi Ardian Ndreca që ka bërë të mundur — siç u shpreh ai vet për mediat, me këtë rast — që të shpëtojë aq sa ka mundur nga bibliotekja origjinale e Koliqit, të cilëën unë e mbaj mend si shumë të pasur. “Në mënyrë krejtsisht të rastësishme mbërrijta që të shpëtoj këtë pjesë të bibliotekës”, u shpreh ai për median vendore dhe kombëtare, duke shtuar:
“Ka shumë dekada në të cilat jam përpjekë që kjo bibliotekë e Koliqit e cila dihej se ekzistonte në Itali, duhej të kthehej në Shqipëri por për shkaqe të ndryshme ishte e pamundur me e bë këtë gjë. Personi që i zotëronte deri para pak vitesh, vdiq dhe në mënyrë krejtsisht të rastësishme mbërrijta që të shpëtoj këtë pjesë të bibliotekës, me idenë që sa më shpejt me e kthye në Shkodër dhe me ia dhenë një institucioni shtetëror, pra një institucioni që përfaqëson të gjithë qytetin dhe është publik i hapur për të gjithë.
Foto nga vendngjarja
Si njësi, janë gjithsejt nja 1500 libra, ekstrakte, artikuj, ku bajnë pjesë edhe një koleksion gazetash tepër të rralla të fund viteve 1800 e në fillim të 1900-ave. Libra dhe materiale të botuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Itali në vende të ndryshme dhe në vende të Ballkanit, të cilat i mungojnë deri më sot fondit të bibliotekës si dhe asaj kombëtare. Ashtu siç ka ndodhë me Arshi Pipën, para disa vitesh kur vet Pipa ia dhuroi qytetit të Shkodrës bibliotekën e tij. Kjo gjë ndodhi edhe me bibliotekën e Ernest Koliqit. Shpresojmë që një gjë e tillë të verifikohet edhe nga autorë të tjerë shkodranë që kanë jetuar në mërgim…”, ka shpjeguar Profesor Ardian Ndreca.
Ky është një zhvillim tepër i rëndësishëm për Shkodrën, për Shqipërinë dhe për mbarë Kombin. Jam i bindur se ai shikon nga lartë me kënaqësi për arritjen e bibliotekës së tij, sado të pjesëshme, nga Roma në Shkodër, në dispozicion të lexuesve shqiptarë, jo vetëm në Shkodër e Shqipëri, por nga të gjitha trojet ku flitet shqip — siç e kishte prëcaktuar ai vet në një shkrim se kjo bibliotekë, është për të gjithë ata: “Që kanë për gjuhë amtare shqipen – ku ma shumë e ku ma pak – frymzohen nga shpirti i zakoneve arbnore e që sot ndahet në tri pjesë: banorët e shtetit shqiptar, vëllëznit tanë nën Jugosllavi dhe bashkatdhetarët e diasporës. Në idealin tonë, që kurrë s’ka për t’u shkimun, këto tri degë përbajnë nji tanësi gangullore, cilido që të jetë zhvillimi shoqnuer i veçantë i tyne.” Ernest Koliqi, Bota e re e shqiptare – Shëjzat II, 5-6, 1958.
Ndër të pranishëm edhe Dom Nikë Ukgjini — Foto nga ceremonia marrë nga portali i Bibliotekës “Marin Barleti” -Shkodër
Edhe Adrian Ndreca, në hapjen e pavionit të veçant të bibliotekës kushtuar Koliqit, theksoi gjithashtu se biblioteka “Koliqi” është një vlerë shumë e çmuar për Shkodrën dhe më gjerë. Një “kthim simbolik” e quajti ai transferimin e bibliotekës së Ernest Koliqitn ë Shkodër, duke shtuar se Koliqi, së pari, i përket lexuesve, mbarë lexuesve shqiptarë, ashtu si i përket edhe qytetit të tij – Shkodrës. Koliqi, shtoi studiues Ndreca, ka se çka t’u mësojë lexuesve, duke shpresuar që ky rikthim të jetë edhe tek leximi i veprave të Koliqit, u shpreh ai për median.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe Ministri i Shtetit Elisa Spiropali. Uroj dhe shpresoj që hapja e sallës “Koliqi” në Bibliotekën publike të Shkodrës, të jetë fillimi i një procesi zyrtar, sa më të shpejt, që figura e këtij shkrimtari të madh të Kombit, të hiqet nga lista e zezë komuniste dhe të vlerësohet nga letrarë, historianë, akademikë dhe shkencëtarë jo-komunistë — për kontributet e vërteta të tija – ashtu siç janë ato.
Një foto që po qarkullon në rrjetët sociale – ku dallohet Ernest Koliqi me shkrimtarët Asdrenin dhe Poradecin, ndër të tjerë –
Ky është një akt që duhet të duartrokitet dhe të mirëpritet nga të gjithë dashamirësit e Ernest Koliqit, adhuruesit e trashëgimisë së tij letrare dhe atdhetare, por edhe të librave shqipe, në mbarë hapësirën kombëtare. Ernest Koliqi, siç dihet, ishte i ndaluar dhe i përjashtuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe për fat të keq edhe gjatë këtyre 30-viteve të ashtuquajtur “post-komunizëm”, Ernest Koliqi vazhdon të jetë, zyrtarisht, i përjashtuar, i kritikuar dhe i denigruar nga qarqe të caktuara politike dhe jo-politike — zyrtare dhe jo-zyrtare — në Shqipëri.
Mundësimi i transferimit të bibliotekës së Ernest Koliqi (megjithse jo e plotë nga koha që e mbajë unë mend nga vizita ime në të, në vitin 1970), është megjithëate një hap i duhur, i mirëseardhur, megjithëse tepër i vonuar. Ernest Koliqi, “shkoi” pardje në Shkodër, siç e cilësuan disa media transferimin e bibliotekës së tij të përgjysmuar në bibliotekën e Shkodrës, por ende nuk mund të thuhet se ai është pranuar në “shtëpinë” e vet. Ka ardhur koha që Ernest Koliqit t’i hapen portat e “shtëpisë” së tij – Shqipërisë dhe të shqiptarisë në përgjithësi, që i deshi aq shumë – për të cilat jetoi, veproi dhe i mbrojti interesat kombëtare deri në frymën e fundit të jetës së tij. Biblioteka e Ernest Koliqit në Shkodër vetëm do t’i sjell qytetërim, Shqipërisë, Shkodrës dhe Kombit shqiptar — të zhytur për një gjysëm shekulli në errësirën e indoktrinimit të ideologjisë aziatike sllavo-komuniste. “A ka send má të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjellë qytetnim nji kombi, zhytë n’errsín e padijes.”
Frank Shkreli
Në përkujtim të Ernest Koliqit me rastin e Dhurimit të Bibliotekës “Ernest Koliqi”, Bibliotekës “Marin Barleti”, Bashkia Shkodër –
“A ka send mâ të mrekullueshëm në kët botë se me i sjellë qytetnimin nji kombi zhytë n’ errsín e padijes?
-Ai që kalon nëpër popull tue hjedhë farën për nji jetë mâ të mirë,
ai që e ndriçon me nji dritë mâ të bukur tokën qi na ushqen,
ai që bân me ngadhnjye agimet në muzgun e pacaktuem të shpirtnave;
shkurt: kush i difton popullit nji udhë të re qytetnije të vërtetë,
âsht i denjë me qênë i nderuem si gjymsë perendije.”
Marrë nga novela “Gjaku” – Ernest Koliqi