Fredi Beleri dha një intervistë të shkurtër për mediat teksa përgatitej të nisej drejt Athinës pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit.
Ai tha se pas votimeve në Parlamentin Europian do t’i rikthehet normalitetit, pavarësisht se në datë 21 korrik do t’i duhet të rikthehet në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit prej 2 vitesh burg për blerje votash.
“Po iki drejt Athinës. Nesër do të jem në Strasburg. Nesër ka votime dhe vendime të rëndësishme. Këtej e tutje besoj se do t’i kthehem normalitetit.”- tha Beleri.
Sa i takon dënimit që Apeli i GJKKO ia konfirmoi në fuqi, Beleri u shpreh se do ta ankimojë edhe në Strasburg nëse nuk gjen drejtësi të Shqipëri.
“Do e ankimoj në të gjitha hallkat e drejtësisë shqiptare dhe nëse nuk gjej përgjigjie edhe në Strasburg”- shtoi ai.
Për zgjedhjet e parakohshme që do mbahen më 4 gusht për bashkinë e Himarës, Beleri u shpreh i bindur se himarjotët sipas tij do i japin përgjigjien e duhur qeverisë. Në fund falenderoi Drejtorinë e Burgjeve që i dha lejen të jetë në Bruksel për t’u betuar si eurodeputet në Parlamentin Europian.
Pasi të mbërrijë në Athinë, Beleri do niset direkt për në Bruksel. Ai ka 5 ditë leje nga data 15-20 korrik për t’u betuar si eurodeputet i Greqisë në Parlamentin Europian. Beleri u zgjodh si i tillë më 10 qershor nën siglën e partisë së Mitsotakis “Demokracia e Re”. Versus.al