Shfaqja e parë pas atentatit, Trump del para republikanëve me veshin e fashuar, e presin si “hero”

Ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump u prit si një “hero” në momentin që u shfaq në Konventën Kombëtare Republikane në Miluauke ku bëri edhe daljen e tij të parë publike pasi mbeti i plagosur në atentatin me armë zjarri.

Me një fashë në vesh, Trump u prit me brohoritje sapo doli në skenë duke marrë duartrokitje të vazhdueshme nga mbështetësit e mbledhur për të, 2 ditë pas sulmit të mbetur në tentativë ndaj tij. Të pranishëm në Konventë ishin edhe anëtarët e familjes së tij, përfshirë tre fëmijët.

Ai falenderoi mbështetësit për duatrokitjet më pas u ul pranë kandidatit të tij të zgjedhur si nënpresident, JD Vance, duke mos mbajtur fjalim. Trump do të pranojë zyrtarisht nominimin e partisë në një fjalim të enjten dhe do të përballet me presidentin demokrat Joe Biden në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Konventa që do të zgjasë 4 ditë vjen vetëm pak ditë pas sulmit të cilit Trump i mbijetoi në Pensilvani, ku u qëllua me armë zjarri nga një 20 vjeçar i identifikuar si Thomas Matheu Crooks. Si pasojë e sulmit u vra një pjesëmarrës në tubim dhe u plagosën dy të tjerë. Ndërsa Trump u shoqërua nga sigurimi teksa me veshin e djathtë të plagosur përpiqej të shfaqte forcë para turmës së mbështetësve.

Autori 20 vjeçar u ekzekutua nga forcat e sigurisë, ndërsa ende ka pikëpyetje sesi mundi të kryente qitjen nga një distancë prej rreth 150 metrash duke u ngjitur në një tarracë ku u pa nga shumë persona. Për ngjarjen e ndodhur, reaguan liderët botërorë të cilët e quajtën një “ngjarje tronditëse për demokracëinë”. Ndërsa Joe Biden bëri thirrje që të ketë deskalim të gjuhës politike të përdorur në mënyrë që të mos nxitet urrejtje mes mbështetësve të partive politike. Versus.al