Identifikimi i trupit të Faton Hajrizit gati punë e kryer, ende s’dihet se kur do të sillet në Kosovë

Institucionet po vazhdojnë përpjekjet për të vërtetuar plotësisht nëse shtetasi i saj, Faton Hajrizi, u vra të premten nga policia serbe. Shenjat e gishtërinjve që u dërguan dje nga Serbia kur u analizuan në Kosovë u përputhen me ato të Faton Hajrizit duke mos lënë shumë dilema. Vrasja e tij nxiti reagime të shumta përfshirë edhe një reagim të Ministres Haxhiu për të cilin u thirr në Prokurori Speciale.

Kurti s’pranoi të flas për rastin e Haradinaj tha se është vështirë të bëhet çfarëdo lidhje e Hajrizit me Serbinë. Përveç në ditën kur ekspozuan trupin e tij duke konfirmuar se i vrari është Faton Hajrizi, Serbia s’ka treguar s’e ku ndodhet trupi i tij.

Institucionet e Kosovës nuk kanë arritur ta konfirmojnë akoma nëse Faton Hajrizi është vrarë të premten në Serbi, edhe pse identifikimi është afër pas verifikimit të shenjave të gishtërinjve.

Serbia ka dërguar dje shenjat e gishtërinjve të një personi, që pas krahasimeve nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ka dalë se gjurmët i përkasin Faton Hajrizit.

Por, të gjitha lajmet që vijnë nga Serbia për këtë rast, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se duhen të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre.

“… autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njejtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi”, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Për marrjen e këtyre gjurmëve nga Serbia, Policia e Kosovës është ndihmuar nga Misioni i EULEX-it.

“Në rastin konkret, EULEX-i ka pranuar një kërkesë e cila është proceduar në përputhje me mandatin tonë”, kanë thënë në një përgjigje për Gazetën Express nga Zyra për Media e EULEX-it.

Pas njoftimit të MPJD’së, avokati Arianit Koci ka thënë se është autorizuar për tërheqjen e trupit nga Serbia.

Koci i ka thënë Gazetës Express se ende nuk e dinë vendndodhjen e trupit të të ndjerit.

“Menjëherë kanë nisur menjëherë kontaktet me autoritetet e Beogradit. Jam në koordinim me shefin e Zyrës së Kosovës në Beograd, Jetish Jashari…Disa procedura i kemi kryer. Kam kontaktuar edhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore atje, ende nuk e kemi identifikuar se ku është trupi i të ndjerit. Na dhanë si opsion Beograd, Shid ose Novi Sad, posa ta marrë vesh këtë informacion unë do të nisem, shpresoj se nesër apo më së largu pasnesër dhe pastaj vazhdojmë tutje me procedura”, ka deklaruar Koci.

Kurti “shumë punë si kryeministër” për t’u deklaruar për këtë rast

Kryeministri Albin Kurti nuk ka dashur të deklarohet për këtë rast, kur është pyetur nëse autoritetet kanë konfirmuar vrasjen e Faton Hajrizit.

Ai është arsyetuar se ka shumë punë si kryeministër dhe se nuk mund ta kryejë edhe punën e ministrit. Për këtë informacion, ai ka drejtuar gishtin kah Ministrja Donika Gërvalla dhe Albulena Haxhiu.

“Dy ministri tona, të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë e trajtojnë këtë rast. Nuk kam nevojë ta bëjë edhe punën e ministrit, besoni kam shumë punë si kryeministër”, ka thënë Kurti para gazetarëve sot.

Haxhiu përfundon në Prokurori pasi ndërlidhi arratisjet nga burgjet me Serbinë

Dyshime nëse Hajrizi është vrarë njëmend, ka ngritur Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka kërkuar hetim të gjerë e të thellë për këtë rast.

“Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dimë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë…, ka deklaruar Haxhiu, ditën kur autoritet serbe deklaruan se Hajrizi është vrarë.

Në të njëjtin deklarim, Haxhiu ndërlidhi Serbinë me arratisjet nga burgjet e Kosovës, ku tha se “janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.

“Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, deklaroi Haxhiu.

Për këtë deklaratë, Haxhiu është ftuar për intervistim dje nga Prokuroria Speciale. Intervistimi i saj ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme.

Kritika ndaj Haxhiut për deklaratën e saj

Pozicionimi i Haxhiut për këtë rast, është cilësuar si gabim nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka deklaruar se s’mund të lidhet Faton Hajrizi me Serbinë.

“Vështirë me bë një lidhje mes Faton Hajrizit e Serbisë, përkundër faktit se ai veç fizikisht është ndodhur atje. Vështirë me bë ndonjë lidhje. Ai nuk ka pasë ndonjë afinitet ose afërsi në çfarëdo mënyre me shërbimin… Ai shquhet si palë e kundërt e Serbisë dhe kjo u vërtetu edhe në ballafaqimin e tij me policët. Pra, ai nuk pranoi as me u dorëzu në Serbi”, tha ai.

Ish-kryeministri tha se nevojitet një “hetim ndërkombëtar”, ndërsa në deklaratat e ministres së Drejtësisë, tha se “është tendenca me kamuflu diçka”.

“Kurti ka ba gabim që e ka bë këtë ministre të Drejtësisë dhe Sveçlën ministër të rendit. Këta kanë qenë antipod i këtyre temave. Kjo ka mujtë me dalë ndoshta ministre e mirë e Rinisë, Kulturës, diçka ngjashëm, aktiviste, militante. Por ta sjellësh njeriun që çdoherë gjatë jetës së vetë ka qenë e anshme në konceptet e veta, për ligjin, për drejtësinë, ka qenë palë, ta sjellësh ministre është pak teprim”, tha Haradinaj.

Arratisja nga Smrekonica e dyshimi për vrasjen e policit serb

Faton Hajrizi u arratis para gati tri javësh nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë. Kjo ishte arratisja e tij e nëntë nga burgjet e vendit.

Të enjten, ai dyshohet se vrau një polic serb dhe plagosi kolegun e tij.

Sipas raportimeve të mediave serbe, ngjarja ndodhi pas mesnate në Loznicë të Serbisë, që gjendet në kufi me Bosnjën, kur policët ndaluan një taksi me targa të qytetit të Tutinit që u dukej e dyshimtë, ku ndodheshin dy burra, shoferi dhe pasagjeri.

Në raportimet e mediave serbe thuhej se ai ishte strehuar tek një fabrikë e braktisur. Për të shkuar atje, atij i janë dashur 2 orë e 44 minuta.

Policia identifikoi pasagjerët të cilët u ishin dukur të dyshimtë dhe pastaj njëri prej policëve i kishte kërkuar njërit prej personave në veturë që t’ia tregojë çantën, sipas raportimeve. I njëjti raportohet se ka refuzuar ta bëjë këtë dhe se ka qëlluar në drejtim të policëve, duke e lënë njërin të vrarë e tjetrin të plagosur.

Fillimisht në kërkim u shpall vëllai i tij, Artani, meqë dokumentet që u gjetën në vendngjarje i përkisnin atij. Më pas, ai deklaroi se dokumentet i janë vjedhur nga Fatoni.

Hajrizi u shpall zyrtarisht në kërkim nga Serbia si i dyshuar për vrasjen, të premten, kur edhe autoritetet serbe deklaruan se i njëjti është vrarë, pas rreth gati 40 orësh kërkime.