Këtë të hënë është shpalosur koncepti fitues në konkursin ndërkombëtar për masterplanin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Për këtë, Kurti tha se është një nga proceset më të rëndësishme dhe më delikate të Kosovës, pasi sipas tij, në Kompleksin Memorial, ku ruhen gjurmët e veprës heroike të familjes Jashari, të gjithë kthehen ta kujtojnë çmimin dhe rrënjët e lirisë.
“Prekazin historik e vizitojmë për të mësuar dhe evokuar me krenari, historinë e familjes Jashari, e cila mund të përmblidhet në një simbolikë të thjeshtë patriotike, atë të deklaratës së Shaban Jasharit në janar të vitit 1998, po citoj: Unë kam vetëm një shtëpi dhe nuk kam ku të shkojë prej saj. Shtëpia në traditën tonë nuk nënkupton vetëm ndërtesën por bashkësinë e lidhur nëpërmjet farefisnisë dhe në një kuptim më të gjerë, shtëpia ka domethënien e vatrës apo atdheut”.
“E mu për këtë, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz është vendi më i rëndësishëm i kujtesës kombëtare e konceptuar si “Oda e kombit”. Vetëmohimi, sakrifica e vetëflijimi i familjes Jashari janë gurëthemel i clirimit të vendit tonë dhe për më tepër janë shembull botëror i flijimit për liri”.
“Epopeja e UÇK-së është ngjarja historike si konkretësi universale. Duke marrë parasysh rëndësinë e detyrës, me rëndësinë më të madhe kemi marrë të gjitha hapat që ky projekt i ruajtjes dhe prezantimit të kujtesës së familjes Jashari të trajtohet me ndjeshmëri dhe përgjegjësi të lartë, me një qasje profesionale e multidisiplinare, nga historia, monumentalitetit, pejzazhi kulturor e natyror, deri te vlerësimi profesional teknik dhe institucionalizimi i memories kolektive”, tha Kurti.
Më tej, Kurti tha se përmes vlerësimit profesional dhe ndërhyrjeve emergjente në Kompleks, gjendja e sigurisë së ndërtesave të rrezikuara brenda Kompleksit është përmirësuar, teksa shtoi se masterplani për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” do të zë një hapësirë prej 450 hektarësh në fshatin Prekaz.
“Në bazë të detyrës projektuese, të hartuar nga komisioni i ekspertëve dhe miratuar në qeveri, në maj kemi shpallur konkursin ndërkombëtar për hartimin e masterplanit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Pas një periudhe të vlerësimit, ku kemi përfshirë profesionistë nga institucionet tona publike dhe UP-ja, sot kemi propozimin fitues të masterplanit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” që zë një hapësirë të gjithëmbarshme prej 450 hektarësh në fshatin Prekaz”.
“Me kujdes e durim, i kemi përcjellur të gjithë hapat deri tani, dhe pas nënshkrimit të kontratës për hartim të masterplanit do të vazhdojmë me veprime përkatëse për realizimin e planeve dhe projekteve përbërëse të masterplanit. Kemi ndarë burime financiare dhe kemi angazhuar ekip të profesionistëve në mënyrë që të sigurohemi që hartimi i masterplanit të zhvillohet me efikasitet brenda dinamikës së paraparë brenda afatit kohor”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Tutje, kreu i qeverisë tha se ka bindjen që ky masterplan do të ofrojë një interpretim dinjitoz e gjithëpërfshirës për rrëfimin e historisë së familjes Jashari, rrëfim që sipas tij, do t’i tejkalojë barrierat kohore të brezit tonë dhe ato hapësinore të vendit tonë, teksa shtoi se kujtimin për veprën heroike të familjes Jashari do ta shndërrojë në përjetësi botërisht.
“Synimi sipëror i këtij projekti është që kur ai të ketë përfunduar, Kompleksi “Adem Jashari”, të ketë marrë pamjen dhe trajtën e një peizazhi historik kompleks në të cilin vizitat do të jenë udhëtime në tërë historinë e Jasharëve të Prekazit, nga tradita e rezistencës te kultura e patriotizmit, nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri dhe rrethimi i parë i familjes së Shaban Jasharit më 1991 te themelimi i UÇK-së. Nga aksionet e para të armatosura, te vetë organizimet e grupeve të armatosura”.
“Nga betejat e para të UÇK-së në Klysyrë dhe te Gjashtë Lisat, deri te rrethimi i dytë i 22 janarit të vitit 1998 dhe veçanërisht nga rrethimi i tretë dhe qëndresa e 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998 te trashëgimia e gjithë çfarë përfaqëson Adem Jashari, familja Jashari dhe historia e tyre deri sot. Për çlirim dhe shtetndërtim të vendit tonë, nga populli ynë”.
“Sepse gjithçka kishte të shenjtë njeriu i kombit tonë, dhe kombi ynë prej njeriu, kishte zbritur mbi supet e Adem Jasharit, për të ruajtur dhe bartur deri në ditët e sotme dhe te gjeneratat e ardhshme që do të vijnë pas nesh. Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një Kompleksi Memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht që do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe në një nivel të lartë artistik qëndresën dhe luftën e popullit për liri dhe drejtësi, pavarësi dhe bashkim, ashtu sic e meriton figura e Adem Jasharit dhe familjes Jashari”, tha Kurti.