Një krizë e çfarëdoshme, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiç, i jep forcë dhe vitalitet të veçantë shtetit dhe popullit serb.
Prandaj ka shtuar, kryediplomati serb, avantazhi i popullit serb në këtë rast është “se ata nuk e dinë se si është jeta pa krizë”.
“Vendimi më i mirë i mundshëm i Serbisë është të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të mos vendos sanksione ndaj Rusisë”, ka deklaruar Daçiç.
“Detyra jonë është të mbrojmë interesant tona, jo të tjerëve. Situata është delikate, por ne duhet të udhëhiqemi nga interesat tona kombëtare dhe prioriteti ynë kryesor duhet të jetë mirëqenia e Serbisë”, ka shtuar Daçiç.
Pak ditë pas daljes nga një krizë bllokuese për çështjen e targave në Veri, me shpresë se dialogu do ketë hapësirë për diskutim të marrëveshjes përfundimtare mes Kosores e Serbisë, kriza mund t’i rikthehet situatës – me tensione edhe më të larta.
Derisa para disa ditësh si protestë serbët e Veriut lëshuan institucionet, tash ka rrezik që të provojnë diçka shumë më radikale – tentimin për të bllokuar pjesën e Veriut për institucionet e Kosovës.
Këtë paralajmërim e dha të premten presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. “Gjithçka po vlon”, tha ai në një konferencë për media.
“Serbët në jug të Ibrit janë afër vendimit për t’u larguar nga institucionet. Jo më vetëm ata nga veriu, por serbët në jug të Ibrit”, e theksoi Vuçiç.
Kurse, “serbët në veri të Ibrit”, pohoi “janë afër vendosjes që të mos lejojnë askënd të hyjë në veri”.
Shkaku lidhet me bllokadën paraprake, por shkasi këtë herë është emërimi i Nenad Rashiç-it, ministër për Komunitete dhe Kthim, nga Albin Kurti.
Rashiç është serb nga Kosova që e pranon shtetin e Kosovës dhe nuk kontrollohet nga Beogradi. Fatkeqësisht, Rashiç është edhe një politikan serb që nuk merr vota nga komuniteti i tij.
Prandaj, Lista Serbe, partia më e votuar nga serbët në Kosovë, e kundërshtoi ashpër emërimin e tij ministër, por edhe emërimin e Rada Trajkoviç si këshilltare të Rashiç-it – edhe kjo një politikane më e moderuar serbe e Kosovës, por që nuk gëzon përkrahje mes komunitetit.
Pas emërimit, situata u përshkallëzua dhe Vuçiç doli e ofendoi Rashiç-in e Trajkoviç-in duke i quajtur “llumi i serbëve” derisa kryeministrin e Kosovës “llum terrorist”.