“Dinamizmin e tashëm Prishtina e mori prej gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë”, ka thënë Oliver kens Schmitt teksa ka vënë në dukje dallimet që kishte ky qytet në qendër të rrafshit të Kosovës me Prizrenin që kishte krijuar traditë si qendër e pakontestueshme e rajonit. “Kushdo që kërkon përgjigje e kupton se Prizreni ishte qendër e tregtisë, zejtarisë dhe, mbi të gjitha, lëvizjes kombëtare shqiptare. Prishtina ishte një vendbanimth i vogël, që u bë qendër administrative vetëm kah fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë”, ka shpjeguar Schmitt
Në tri dekadat e fundit të shekullit XIX, vilajeti i Kosovës e zhvendosi disa herë kryeqendrën e tij midis Shkupit, Prizrenit dhe Prishtinës. Kjo kishte shkaktuar pakënaqësi e habi edhe te komuniteti i diplomatëve të asokohshëm, të cilët tashmë kishin shtrirë rrjetet e tyre me konsullata në vilajetin që ishte skena e njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme të lëvizjes kombëtariste si Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Shndërrimi i Prishtinës nga një vendbanim thuajse margjinal në kryeqendër vilajeti ka mbas vete një histori përplot dinamika. Ligjërata e së hënës e akademikut dhe historianit nga Vjena, Oliver Jens Schmitt, ka dhënë përgjigje të reja nëpërmjet zhbirimit të dokumentacionit konsullor austrohungarez në Kosovë.
Burimet osmane mbi periferitë perëndimore të Ballkanit, aty ku shtriheshin katër vilajetet me shumicë shqiptare, janë të mangëta për të dritësuar realitetet lokale. Shumica e qeveritarëve osmanë nuk e njihnin as gjuhën e shtetasve të tyre. Në ndërkohë, popullata shqiptare nuk pati në mesin e saj thuajse asnjë shkrues, që do të thotë se nuk ka asnjë dëshmi vendore për të rindërtuar një perspektivë lokale. E vetmja gazetë zyrtare që u botua në Prizren pati edicionin e saj në turqishten osmane dhe në serbisht, por jo edhe në gjuhën e shumicës së popullatës së vilajetit. Në këto hulli është endur ligjërata e akademikut dhe historianit nga Vjena, Oliver Jens Schmitt, e mbajtur në ditën e gjashtë të edicionit të sivjetmë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në sfondin e simbolikës së përvjetorit të 50-të të kësaj ngjarjeje tradicionale që bën bashkë albanologë vendorë e të huaj, rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, fillimisht i ka ndarë mirënjohje mysafirit nga Austria, Oliver Jens Schmitt dhe akademikut nga Prishtina, gjuhëtarit Rexhep Ismaili për kontributet e tyre në albanologji.
Prishtina mes dinamikave dhe amullisë
Minutat në vazhdim në sallën e stërmbushur të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës kanë qenë të rezervuara për ligjëratën e historianit nga Austria e titulluar “Prishtina dhe Kosova në periudhën e vonë osmane – pikëpamje diplomatësh austro-hungarezë”. Në zemër të kumtesës së akademikut nga Vjena ishin realitetet e reja në Ballkan, ku veçanërisht Kosova njohu dinamika të reja që kontrastonin me amullinë thuajse të plotë shoqërore e ekonomike të botës osmane. Kjo u vrullua më së shumti nga konsujt e Austro-Hungarisë, kjo fuqi e madhe që pati interesa në Ballkan dhe rivalizoi fyt-më-fyt me Rusinë.
Këto njoftime, sipas studiuesit nga Austria, janë tejzakonisht të hollësishme dhe japin përkapje të thella hem mbi politikat lokale, hem mbi ato rajonale. Me to rindërtohen edhe plot tablo nga jeta shoqërore dhe ekonomike e Prishtinës së periudhës 1870-1912.
Prishtina apo Prizreni?
Sipas Schmittit, burim i rëndësishëm për njohjen e kësaj periudhe janë njoftimet konsullore të diplomatëve austrohungarezë të cilët në fundshekullin e 19-të krijuan rrjetin e tyre në qendrat kryesore të vilajetit të Kosovës. Shpalimi i tij ka saktësuar ai, nuk është opinioni i tij si studiues, por opinionet e diplomatëve austriakë.
“Dinamizmin e tashëm Prishtina e mori prej gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë”, ka thënë Schmitti teksa ka vënë në dukje dallimet që kishte ky qytet në qendër të rrafshit të Kosovës me Prizrenin që kishte krijuar traditë si qendër e pakontestueshme e rajonit.
“Kushdo që kërkon përgjigje e kupton se Prizreni ishte qendër e tregtisë, zejtarisë dhe, mbi të gjitha, lëvizjes kombëtare shqiptare. Prishtina ishte një vendbanimth i vogël, që u bë qendër administrative vetëm kah fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë”, ka shpjeguar Schmitt.
“Prishtina, një cep i mjerë i Rumelisë”
Tutje, ai ka evokuar vendimin e autoriteteve osmane të cilat e zhvendosën kryeqendrën e vilajetit nga Shkupi në Prishtinë. Kjo kishte shkaktuar jo pak habi ndër konsujt e asaj kohe, duke qenë se Prishtina e gjeratëhershme ishte tejet margjinale.
Këtu, ai ka ndërmendur reagimin jo edhe aq diplomatik të konsullit austriak në Prizren që kishte protestuar për një gjë të tillë.
“Prishtina është një cep i mjeruar, një nga më të ashprat vende të Rumelisë, në një gjendje të mjerueshme”, kishte shkruar konsulli austriak teksa kishte vënë në pah se këtij qyteti i mungonte infrastruktura dhe uji i pijshëm.
Politika osmane e ndaloi shkrimin e shqipes
Në vazhdim të ligjëratës, Schmitti ka shpjeguar arsyet pse njoftimet konsullore të diplomatëve austrohungarezë kanë peshë të veçantë në kuptimin e perspektivave vendore shqiptare. Sipas tij, këto tekste janë të rëndësishme për shkak se “pak e hiç është shkruar për Kosovën e periudhës osmane”. “Thuajse asgjë nuk pati në gjuhën e shumicës shqiptare”, ka shtuar ai.
Duke marrë si shembull rastin e gazetës “Kosova” që dilte në turqishten osmane dhe serbisht, historiani nga Vjena ka vënë në dukje se njëri nga sulltanët e mbramë, Abdyl Hamiti, propagonte me të madhe panislamizmin si ideologji perandorake.
“Shqiptarët, që ishin me shumicë sunite myslimane, u ndaluan të zhvillonin kulturën e tyre të shkruar dhe gjithçka duhej të ishte në turqishten osmane” ka thënë Schmitt.
Qeveritarët osmanë nuk e njihnin shqipen
Sipas akademikut nga Austria, njohuritë e osmanëve për periferitë e tyre perëndimore ishin tejet të mangëta, dhe si arsye ka përmendur faktin që qeveritarët e guvernatorët osmanë nuk e kuptonin shqipen, gjuhë e shtetasve të tyre.
“Kjo është arsyeja pse burimet osmane janë qenësisht të kufizuara, dhe duke mos qenë burime të brendshme, për shumë dekada nuk kemi një perspektivë lokale apo rajonale mbi çështjet e asokohshme shoqërore e politike në Kosovë”, ka vlerësuar Schmitt.
Sipas tij, kjo është arsyeja pse vijnë në shprehje njoftimet konsullore austrohungareze që janë më të numërta për nga sasia, me përmbajtje më të pasur e të autoruara nga njerëz që kishin përgatitje si orientalistë.
“Ndryshe nga diplomatët e tjerë evropianë, shumë nga këta njerëz njohën shqipen dhe serbishten, madje disa prej tyre u zhvendosen nga njoftimet thjesht konsullore në kërkime të mirëfillta”, ka thënë Schmitt. “Ky lloj fenomeni tanimë nuk ekziston. Ata krijuan një rrjet informuesish lokalë, shpesh nga radhët e komunitetit katolik, duke analizuar bindjet e banorëve për çështje të ndryshme”.
Në shtjellim e sipër, studiuesi nga Vjena ka përmendur edhe arsyet pse mbretëria duale investoi aq shumë në Kosovë. Asokohe Vjena, sipas tij, ndiqte një politikë që fokusohej në anashnxjerrjen e Italisë dhe Gjermanisë nga Ballkani, duke pamundësuar daljen e Serbisë në det. “Kjo është arsyeja pse Shqipëria pati rëndësi. Adriatiku ishte kanali kryesor për eksportet dhe importet austriake. Ndaj, Vjena ndihmoi në formimin e vetëdijes kombëtare shqiptare”.
Elitat politike pa interes për debatet kombëtariste
Megjithatë, diplomacia austrohungareze hasi në pengesat e para në terren. Nga ajo që kuptohet prej njoftimeve konsullore, identiteti kombëtar në Kosovë kuptohej ndryshe krahasuar me Shqipërinë perëndimore ku kishte porcione të ndjeshme të krishterësh. Sipas Schmittit, veçantitë e mjedisit kosovar, si ekzistenca e një shumice myslimane, bënin që të mos kuptoheshin debatet të cilat i shtynin përpara aktivistët kombëtaristë në pjesët e tjera të Shqipërisë, sidomos ata nga komunitetet ortodokse e katolike.
“Kjo ishte frustruese për diplomatët austriakë të cilët përpiqeshin të shpërndanin materiale për lëvizjen kombëtare dhe këtu (në Kosovë — v.j) nuk kishte edhe aq kërkesa, për shkak se kishte tepër pak lexues”, ka nënvizuar ai. Për Schmittin, elitat politike në Prishtinë dhe Kosovë nuk kishin kurrfarë interesi për këso debate të cilat ishin të rëndësishme për shqiptarët ortodoksë e katolikë.
Prishtina me tension ndaj serbëve, rezistencë ndaj osmanëve
Duke folur mbi njoftimet konsullore që i adresoheshin Ministrisë së Jashtme në Vjenë, Schmitt ka sjellë edhe tablonë e gjendjes tejet specifike në Prishtinë.
“Në këto raporte kishte vlerësime për Prishtinën si kryeqendër strategjike, për zhvillimet ushtarake osmane, për formimin e fraksioneve dhe grupeve politike brenda qytetit”, ka saktësuar ai.
Në këtë kohë, sipas tij, binin në sy zhvillimet politike me plot tensione mes banorëve shqiptarë dhe atyre serbë. “Kishte rezistencë të shqiptarëve edhe ndaj taksave që i vendoste pushteti qendror osman”.
I lindur më 1973 në Bazel të Zvicrës, Oliver Jens Schmiit, është profesor i historisë së Evropës juglindore në Universitetin e Vjenës. Në qendra të njohura të botës gjermanishtfolëse si Bazeli, Vjena, Berlini e Mynihu, ai ka studiuar për Bizantin, për filologjinë greke, greqishten moderne si dhe historinë e Evropës Lindore. Ka ligjëruar në universitetet e Mynihut dhe Bernit, kurse për një kohë ka qenë edhe profesor në Collège de France. Që prej 2017-s, ai është kryesues i Departamentit për Humanitete dhe Shkenca Shoqërore pranë Akademisë së Shkencave të Austrisë, teksa në të njëjtën kohë kryeson edhe departamentin kërkimor për studimet ballkanike në Institutin për Histori Moderne dhe Bashkëkohore të autoritetit më të lartë shkencor në Austri. Interesimet e tij mbi historinë janë tejet të gjera, me fokus sidomos vitet e mesjetës dhe trevën adriatike të Ballkanit si dhe Rumaninë. Kontributet e Schmittit tangentojnë edhe botën mesjetare shqiptare, me tituj si monografitë “Das venezianische Albanie” (2001), “Kosovo: kurze Geschichte einer zentralbalkanischen Landschaft” (2008), “Skanderbeg – der neue Alexander auf dem Balkan” (2009), “A Concise History of Albania” (2022), etj. Nga viti 2015, Schmitt është edhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.