Një ngjarje e rëndë është shënuar në Korçë ditën e sotme, ku një grua 31-vjeçare është djegur me benzinë nga ish-bashkëshorti.
Ky i fundit, Bledar Trëndafili 45 vjeç, ka shkuar në banesën me qira të ish-gruas ku e ka lyer me benzinë dhe i ka vendosur flakën. Bëhet e ditur se çifti është në prag divorci.
Gazetarja e Klan News në Korçë, Daniela Zisi, ka mësuar se gruaja Melisa Trëndafili ka mbetur e plagosur dhe po merr mjekim në spitalin e qytetit.
Ndërkohë, autori është shpallur në kërkim nga policia pasi është arratisur pas ngjarjes.
Njoftimi i Policisë së Korçës:
Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 2, Korçë, në rrugë, shtetasi B. T., 45 vjeç, ka tentuar të djegë me lëndë djegëse benzinë bashkëshorten,( në proces divorci dhe aktualisht jetojnë të ndarë), shtetasen M. T., 31 vjeçe.
Shtetasi B.T, pasi i ka hedhur lëndën djegëse në trup shtetases M.T dhe e ka ndezur është larguar me shpejtësi.
Si pasojë shtetasja M. T., ka pësuar djegie në trup dhe është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të 45 vjeçarit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Ndërkohë shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për kapjen e autorit.